Boks

Arnold Gjergjaj

Boksier

Menjëherë pas mbarimit të luftës për titullin evropian të boksit në kategorinë EBU-EE, shqiptaro-zvicerani Arnold Gjergjaj deklaroi për albinfo.ch se ëndrra e tij e radhës është të jetë numri 1 i boksit në botë.

Titullin e Kampionit Evropian ai e fitoi me K.o. në rundin e nëntë kundër boksierit Adnan Rexhovic, të shtunën në mesnatë, në palestrën sportive St. Jakob në Bazel, para më shumë se dy mijë adhuruesve të boksit, shumica prej tyre shqiptarë që brohorisnin pas çdo goditjeje që jepte boksieri me origjinë nga Gjakova, i njohur ndryshe me nofkën “Kobra”.

Arnold Gjergjaj u dha adhuruesve një spektakël boksi zviceran të paparë deri më tani. “Kobra” shqiptare e rrahu keq Luanin boshnjak, i cili ndonëse mori disa herë goditje të fuqishme, arrinte të këndellej e të sfidonte seriozisht Gjergjajn, 8 vjet me të ri se ai, duke e shtyrë në limitet e forcës së tij. Veçmas në rundet e pestë, të gjashtë dhe të shtatë “Kobra” tregoi shenja dobësie dhe lodhjeje që vënin në pikëpyetje synimet e tij.

Zvicra priti 100 vjet titullin e Kampionit Evropian

Të dy boksierët zhvilluan një meq të pakompromis deri në rundin e nëntë, kur 37-vjeçari Adnan Rexhovic, me një epërsi të dukshme teknike, nuk iu shmang dot goditjes së hekurt të Arnoldit, së pari me të djathtën dhe nokautin shkatërrues me të majtën. Me kaq gjyqtari mbylli luftën, duke e shpallur fitues Arnold Gjergjajn, i cili pritjet 100- vjeçare të boksit profesionist me licencë zvicerane i kurorëzon me titullin e Kampionit Evropian. Një titull ky që ka fituar vëmendjen e madhe të mediave vendëse dhe atyre nga Kosova, ndonëse siç vlerësojnë analistë të boksit, ky është vetëm një hap i vogël drejt rrugës së vështirë për titullin e Kampionit Botëror.

I pyetur nga albinfo.ch për hapin e ardhshëm pas kësaj fitoreje të rëndësishme në karrierën e tij, Gjergjaj u shpreh:

„Meqë tashmë jam Kampion Evropian, hapi im i ardhshëm është të fitoj titullin e Kampionit Botëror. Kjo është dëshira ime, unë gjithmonë kam thënë se dua të bëhem kampion bote, të jem numër 1“.

Ai është i vetëdijshëm që ky titull kërkon shumë punë dhe disiplinë, nuk është i lehtë, pasi që kundërshtarët e tjerë do të jenë shumë më të njohur në arenën e boksit profesionist. Megjithatë për “Kobrën” titulli i Kampionit Evropian EBU-EE, që ndryshe njihet si titull i rezervuar për boksierët më të mirë nga një vend evropian joanëtar i BE-së, është një vizitëkartë e rëndësishme që i hap atij rrugën për të realizuar ëndrrën e tij.

Boksieri shqiptar, Nuri Seferi, e porosit Arnoldin të ndryshojë radikalisht në aspektin teknik.

Me asnjë humbje dhe me 26 fitore në karrierën e boksit profesionist, ku 20 prej tyre i ka fituar me K.o. Arnold Gjergjaj është një boksier interesant nëse punon në aspektin teknik, pasi që goditjet e tij janë shumë të fuqishme, madje edhe më të fuqishme se të vetë boksierëve kampion bote, siç janë Klitschkot.

Vetë miku i tij dhe boksieri tjetër i njohur shqiptar, Nuri Seferi, e vlerëson Arnoldin si një boksier të fortë e që premton shumë nëse punon në aspektin teknik. „Për t’u ngjitur në një shkallë më lart është mirë, por ka akoma shumë punë për t’u bërë, në fakt për të konkurruar vëllezërit Klitschko ai duhet të punojë shumë. Sepse ndaj një kundërshtari si ky nuk guxon të tregosh shenja dobësie, siç i pamë mes rundit pesë e shtatë. Arnoldi ka madhësinë, ka fuqinë, por i duhet të punojë në anën teknike. Në këtë pikë ai duhet të ndryshojë radikalisht“, vlerëson boksieri shqiptar, Nuri Seferi, i cili tha se ka shumë besim në aftësitë e Arnoldit që të arrijë aty ku ai dëshiron.

Bekim Dalipi

 

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriArnold Gjergjaj
  • Prejardhja:Gjakovë-Kosovë
  • Vendi ku vepron:Zvicër
  • Profesioni:Boksier
  • Kontakti www.thecobra.ch

  WHO’S WHO të tjera