Kosova

Kurti prezanton Programin “Superpuna për Gratë”

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti njoftoi edhe fillimin e Programit “Superpuna për Gratë”, që synon rritjen e përfshirjes së grave në tregun e punës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se fuqizimi ekonomik i grave ka rëndësi thelbësore, duke nënvizuar se përkrahja ndaj grave ndërmarrëse nuk duhet të mbetet vetëm te deklaratat, por të shoqërohet me politika dhe programe konkrete.

Këto deklarata ai i bëri në konferencën e parë “Gratë në Biznes – She Rises 2026”, të organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit e Kosovës, ku ishin të pranishme rreth 300 gra nga fusha e ndërmarrësisë, si edhe përfaqësuese të institucioneve dhe organizatave vendore e ndërkombëtare.

Sipas Kurtit, një grua që është e pavarur ekonomikisht përbën themelin e një familjeje të qëndrueshme, të një shoqërie përparimtare dhe të një ekonomie të zhvilluar, transmeton albinfo.ch.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e bindur se barazia është parimi udhëheqës dhe rruga e vetme drejt progresit. Prandaj, jemi kujdesur që mbështetja jonë për gratë në biznese të mos mbetet vetëm deklarative, por të përkthehet në programe të dedikuara, si subvencionimi i drejtpërdrejtë dhe lehtësimi i qasjes në financa”, ka thënë Kurti.

Ai bëri të ditur se edhe gjatë këtij viti do të vijojë zgjerimi i mbështetjes për bizneset, inovacionin, digjitalizimin dhe ndërmarrësinë e grave.

“Do të vazhdojmë të zgjerojmë mbështetjen për bizneset, inovacionin, digjitalizimin dhe ndërmarrësinë e grave, përfshirë edhe themelimin e Divizionit për Gratë Ndërmarrëse në Agjencinë të cilën po e krijon Ministria”, është shprehur ai.

Po ashtu, kryeministri në detyrë njoftoi edhe fillimin e Programit “Superpuna për Gratë”, që synon rritjen e përfshirjes së grave në tregun e punës.

“Në mbështetje të punësimit dhe zhvillimit ekonomik, do të nisë Programi ‘Superpuna për Gratë’, i cili do të garantojë pagën minimale për gjashtë muaj për gratë që hyjnë ose rikthehen në tregun e punës, duke krijuar përfitime si për punëmarrëset ashtu edhe për bizneset”, ka deklaruar Kurti.