Muzikë
Vesa Selmoni, e para në Konkursin Kantonal të Muzikës në Aargau
Juria e vlerësoi interpretimin e saj si të qëndrueshëm, të pastër dhe me maturi të rrallë për moshën
Në konkursin vjetor të muzikës në Kantonin Aargau, të mbajtur më 28 nëntor, tetëvjeçarja Vesa Selmoni nga Cyrihu u shpall fituese e vendit të parë, duke u dalluar mes dhjetëra pjesëmarrësve të rinj. Juria e vlerësoi interpretimin e saj si të qëndrueshëm, të pastër dhe me maturi të rrallë për moshën. “U ndjeva shumë e gëzuar dhe e surprizuar, sepse kishte shumë konkurrencë,” thotë Vesa, duke kujtuar momentin e shpalljes.
Rrugëtimi drejt pianos, nga një lodër te talenti i formuar
Dashuria e Vesës për muzikën nisi herët, me një piano lodër në shtëpi, përmes së cilës ajo filloi të mësonte meloditë e para vetëm duke i dëgjuar. Talentin e saj e dalloi mësuesi i parë, Roger Haldimann, i cili e orientoi drejt mësimeve të strukturuara dhe e mbështeti në vitet e para të zhvillimit. Sot, Vesa i çon përpara angazhimet e saj me një qetësi të admirueshme, duke gjetur ekuilibër midis shkollës, pianos, patinazhit dhe aktiviteteve të tjera që ndjek.
Vlerësimi i mësuesit: talent, punë dhe përqendrim
Mësuesi aktual i pianos së Vesës, Artem Markaryan vlerëson disiplinën dhe përkushtimin që e kanë karakterizuar gjatë përgatitjeve për konkursin: “Vesa fitoi falë punës së përditshme, talentit dhe aftësisë për t’u përqendruar në momentin vendimtar. Jam i lumtur të ecim së bashku në këtë rrugë,” shprehet ai, duke falënderuar njëkohësisht edhe kolegun e tij, Roger Haldimann, për zbulimin e hershëm të talentit të saj.
Përjetimi i garës dhe frymëzimi i saj artistik
Vesa e kujton përvojën e konkursit me qartësi e maturi. “Momenti para jurisë ishte i bukur. Kur e përfundova pjesën, ndjeva gëzim të brendshëm,” thotë ajo.
Pjesa e saj e preferuar është La Marée de Soir nga Jennifer Linn, ndërsa mes kompozitorëve veçon Mozartan. Ajo ka edhe një ëndërr të qartë për të ardhmen: “Do doja të luaja një ditë me Alexandra Dovgan.”
Muzika brenda familjes
Në shtëpinë Selmoni, muzika është pjesë e pandashme e përditshmërisë. Vesa ushtron piano rregullisht, ndërsa vëllai i saj, Drini, luan bateri, një mjedis që ka ndikuar në zhvillimin e natyrshëm të sensibilitetit të saj muzikor.
Prindërit e shohin këtë sukses si një moment të rëndësishëm: “Ishte një gëzim që nuk harrohet.”
Ata theksojnë se mbështetja, koha dhe vëmendja e përditshme janë elementët që u japin fëmijëve mundësi të shprehin talentin e tyre.
Ky sukses është edhe një shembull frymëzues për prindërit shqiptarë në Zvicër: talentet rriten në një mjedis të qetë, të përkushtuar dhe me besim të ndërsjellë midis fëmijëve dhe atyre që i udhëheqin.
Linku nga interpretimi: Jennifer Linn – La marée de soir (Evening Tide) – Vesa Selmoni
Të tjera nga Muzikë
E-Diaspora
-
Vjenë
Autopsia e viktimave kosovare në Vjenë nis pas aksidentit tragjik në kantier Hetimet vazhdojnë në Vjenë, autopsia e trupave të tre kosovarëve... -
Në mesin e viktimave në Vjenë është edhe një ish-veteran i UÇK-së -
Tragjedia në Austri, Ministria e Diasporës: Po koordinohemi me familjarët për kthimin e trupave -
Vjenë
Tragjedia në Vjenë, Komuniteti Shqiptar Musliman në Austri shpreh dhimbje dhe solidaritet -
Kurti: Të tronditur nga tragjedia në Austri, tre viktima janë shtetas të Kosovës
Jeta në Zvicër
-
Çmimet në Migros dhe Coop nën lupë: A po mashtrohen konsumatorët nga etiketimet Autoritetet zvicerane kanë ndërmarrë veprime ndaj zinxhirit të supermarketeve Migros, pas shqetësimeve për mënyrën e paraqitjes... -
Aksident tragjik në Zvicër: rrëzohet teleferiku në Titlis, humb jetën një grua -
Debat i ashpër për pagën minimale në Zvicër, votim i rëndësishëm në Vaud -
Crans-Montana: Viktimat e zjarrit nuk mundën të shpëtonin për shkak të daljes së bllokuar -
Çfarë ndryshon në Zvicër nga prilli 2026














