Futboll

Zjarri përfshin zhveshtoren e FC Basel, shtyhet ndeshja me Thun

Flakët shkaktuan dëme të mëdha materiale në stadiumin e Baselit, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar. Federata Zvicerane aprovoi shtyrjen e ndeshjes së planifikuar për sonte.

Një incident serioz është shënuar të premten në mbrëmje në stadiumin “St. Jakob-Park” në Basel, ku një zjarr ka përfshirë zhveshtoren e klubit FC Basel, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve, flakët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa fatmirësisht nuk është raportuar për persona të lënduar.

Gazeta zvicerane “Blick” ka publikuar pamje nga vendngjarja, ku shihet zjarri që ka përfshirë ambientet brenda stadiumit.

Pas këtij rasti, klubi i Baselit ka kërkuar zyrtarisht që ndeshja kampionale kundër Thun, e planifikuar për t’u zhvilluar sonte, të shtyhet. Federata Zvicerane e Futbollit e ka miratuar kërkesën e FC Basel, duke vendosur që ndeshja të mos zhvillohet në orarin e paraparë.

Ende nuk janë bërë të ditura shkaqet e sakta të zjarrit, ndërsa autoritetet pritet të zhvillojnë hetime për zbardhjen e plotë të rastit./Albinfo.ch

 

 

Pixabay