Lajme

Zvicër: 15-vjeçari humb jetën nga goditja me tren

Po përpiqej të kalonte shinat, 15 vjeçari goditet nga treni në stacionin Allaman

Një adoleshent 15-vjeçar humbi jetën të mërkurën në mbrëmje në stacionin e trenit Allaman në kantonin Vaud. Sipas njoftimit të Policise kantonale, rreth orës 19:50, autoritetet u informuan se një i ri ishte goditur nga një tren, përcjell albinfo.ch.

Policia raporton se i riu, pjesë e një grupi adoleshentësh që ishin mbledhur pranë stacionit, po përpiqej të kalonte shinat kur u godit nga një tren direkt drejt Lozanës. Për shkak të natyrës së aksidentit, ndihma mbërriti shumë vonë dhe adoleshenti ndërroi jetë menjëherë në vendngjarje.

Arsyeja pse ai u përpoq të kalonte shinat është objekt hetimi nga autoritetet, të cilat po përpiqen të zbulojnë rrethanat e sakta të aksidentit.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe autoritetet e sigurisë këshillojnë të respektohen rregullat e sigurisë pranë hekurudhave, veçanërisht për të rinjtë./Albinfo.ch