Lajme

Zvicër: Nga 6 korriku, kush nuk vë maskë, mund të nxirret nga treni

Nuk është paraparë gjobë por nëse nuk e vendos maskën, mund të të largojnë nga treni ose autobusi

Këshilli Federal (qeveria e vendit) ka vendosur sot që bartja e maskës mbrojtëse në transportin publik të bëhet e detyruar. Vendim i hyn në fuqi të hënën, më 6 korrik.

Por çfarë duhet të dimë nga ana praktike lidhur me bartjen e maskës, në mënyrë që 6 korriku të mos na zërë të papërgatitur? 20 Minuten ka bërë një përmbledhje të pyetjeve më të shpeshta dhe të përgjigjeve përkatëse¨.

A duhet të vendosim maskën kur treni ose autobusi është është  i zbrazët?
Po. Detyrimi për maskë nuk vlen vetëm në kohën e pikut të pasagjerëve por në çdo koh.

Si e arsyeton Këshilli Federal detyrimin e maskës?
“Me detyrimin për të vendosur maskën, ne mbrojmë veten dhe njerëzit tjerë”, ka thënë sot  presidentja federale Simonetta Sommaruga, para mediave, transmeton albinfo.ch. Bëhet fjalë për një masë parandaluese. Ajo gjithashtu iu referua me këtë rast rritjes së trafikut publik pas zbutjes së një sëë masash kundër koronavirusit.

Ministri i Shëndetësisë Alain Berset ka shtuar në konferencë se numri në rritje i rasteve të infeksionit ka nxitur Zvicrën të merrte këtë masë. Duke u mbështetur në një rekomandim, Zvicra ishte një përjashtim në krahasim me vendet fqinje. Detyrimi në nivel nacional po ashtu parandalon një laramani që do të bëhej nëse vendimet do t`u liheshin kantoneve.

A marrin gjobë pasagjerët e transportit publik nëse nuk mbajnë maskë?
Jo. Nuk është paraparë gjobë. Por nëse nuk e vendos maskën, mund të të largojnë nga treni ose autobusi. Pastaj, ai që refuzon të largohet nga treni mund të gjobitet, ka thënë drejtori i Zyrës Federale të Transportit.

SBB nuk do të përdorë personel shtesë për të kontrolluar maskat, përcjell albinfo.ch. Drejtori i Përgjithshëm i SBB, Vincent Ducrot ka thënë se ata mbështeteshin në “kontrollin shoqëror” dhe se gjithashtu do të patrullojë edhe policia e transportit.

A vlen detyrimi për vënie të maskës edhe për fëmijët?
Detyrimi zbatohet që nga mosha 12 vjeç. Përveç fëmijëve më të vegjël, të liruar nga detyrimi janë po ashtu edhe personat të cilët nuk mund t’i bartin maskat për arsye mjekësore.

A duhet vënë maska edhe në anije?
Po. Detyrimi vlen për trenat, tramvajet dhe autobusët, si dhe për hekurudhat malore, teleferikët ose me anijet.