Lajme
Zvicër: Synohen kushte më të mira pune dhe zhvillim profesional për infermierët
Këshilli Federal ka nisur fazën e dytë të zbatimit të Iniciativës së Infermierisë, e cila u miratua nga qytetarët zviceranë në nëntor të vitit 2021. Pas hyrjes në fuqi të Aktit të Ndihmës për Trajnimin e Infermierisë më 1 korrik 2024, fokusi tani zhvendoset te përmirësimi i kushteve të punës dhe zhvillimi profesional i infermierëve në Zvicër, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.
Në këtë fazë të re, Këshilli Federal ka hartuar një projektligj të ri federal që synon ta bëjë profesionin e infermierisë më tërheqës dhe të parandalojë largimin e parakohshëm të profesionistëve nga kjo fushë. Ndër masat kryesore parashikohet caktimi i orareve të ndërrimeve të paktën katër javë përpara, me mundësi për rregullime të shkurtra që do të kompensohen përmes kohës së lirë ose kompensimit financiar, varësisht nga situata.
Po ashtu, projektligji parashikon uljen e kohës maksimale javore të punës në 45 orë dhe vendosjen e një norme standarde mes 40 dhe 42 orësh në javë. Orët shtesë do të kompensohen zakonisht me kohë të lirë, por nëse kjo nuk mundësohet, do të aplikohet një shtesë page prej së paku 25 për qind. Puna në të dielat dhe festat zyrtare do të shpërblehet me kohë të lirë dhe një pagesë shtesë prej së paku 50 për qind.
Këshilli Federal po ashtu dëshiron të nxisë dialogun ndërmjet partnerëve socialë për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve të punës dhe nënshkrimin e marrëveshjeve kolektive. Këto marrëveshje do të mund të devijojnë nga kërkesat e ligjit të ri, për sa kohë respektohen dispozitat detyruese të ligjeve federale dhe kantonale në fuqi, transmeton albinfo.ch.
Në fushën e zhvillimit profesional, synohet forcimi i rolit të infermierëve të kualifikuar në mënyrë të avancuar. Përmes ndryshimeve në Aktin e Profesioneve Shëndetësore, do të përkufizohet roli dhe kërkesat për profesionin e Infermierisë së Praktikës së Avancuar (APN), duke u dhënë këtyre specialistëve një rol më të rëndësishëm në kujdesin parësor.
Vendimi përfundimtar për dy projektligjet do t’i takojë Parlamentit në hapat e ardhshëm të procesit legjislativ, transmeton albinfo.ch.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Nata e dytë e Tri Net Film Fest Mbrëmja ritheksoi nevojën për përgjegjësi kolektive ndaj kulturës dhe pjesëmarrjes aktive të publikut... -
Votuesit e regjistruar për të votuar jashtë Kosovës nuk mund të votojnë brenda vendit -
Sot është afati i fundit për regjistrimin e votuesve nga diaspora -
Berlin
Berlin, shfaqja e dokumentarit të ARTE-s mbi traditën dhe inovacionin kosovar -
Nju-Jork
Orna, violonçelistja nga Nju Jorku që prej 30 vjetësh i jep shpirt Operës së Seviljes
Jeta në Zvicër
-
Katër të rinj nga Friburgu humbën jetën në një aksident rrugor në Francë Katër të rinj nga Fribourg, të moshës 16 deri në 18 vjeç, humbën jetën të premten... -
Mungesë banesash: Një apartament 60-vjeçar ofrohet për 18 milionë franga -
Cyrih: Shoferi kosovar arrestohet pasi theu kontrollin e policisë -
Cilat kompani zvicerane të sigurimeve shëndetësore do të jenë më të lira në vitin 2026? -
Çfarë ndryshimesh në imigracion i presin të huajt në Zvicër në vitin 2026 dhe më tej?









