Tematike

Zvicra, Atdheu ynë i dytë

Prej vitit 2005 banorët me origjinë të huaj që jetojnë në kantonin e Gjenevës kanë të drejtë të votojnë në nivel komunal. Kjo e drejtë është fituar falë iniciativës “J’y vis j’y vote” (Këtu jetoj, këtu votoj).

E drejta në fjalë, para së gjithash iu mundëson pjesëmarrje aktive në jetën politike të komunës në të cilën jetoni prej më se paku 8 vjet me leje qëndrimi “B”, e vetëkuptohet edhe me “C”.

Shumica e partive sot tentojnë të hapin dyert e tyre miqësore edhe për të huajt që  kanë shtetësinë zvicerane dhe punojnë e veprojnë me përpikëri e dinjitet.

Përkthyes në Pallatin e Drejtësisë dhe bashkëpunëtor juridik e administrativ, i lindur më 1959, Sami Gashi, ose “Malësia”, siç e njohin shqiptarët këtu, prej viteve të `80-a  jeton dhe vepron me një entuziazëm të rrallë në Gjenevë.

Z. Gashi është i angazhuar në Partinë e Demokratëve të Krishterë (PDC) dhe këtë vit është kandidat në zgjedhjet komunale për këshilltar. Ai jeton në komunën e Qytetit të Gjenevës dhe lista e tij mban numrin 5.

Sami Gashi ka qenë përherë i angazhuar në jetën politike të shqiptarëve këtu dhe meqë është një rapsod i mrekullueshëm edhe në skenat tona festive ai ka dhënë nga talenti i tij një shpërndarje dhe njohje më të mirë të muzikës sonë folklorike e burimore. Gjithnjë ka qenë në mbështetje të të rinjve për një integrim sa më të suksesshëm në shoqërinë gjenevase.

Ai edhe sot në PDC angazhohet për të mbrojtur vlerat e bashkëjetesës dhe të kurajës, vlerat e kulturave të ndryshme që gërshetohen në këtë kanton. Mbi të gjitha, nga përvoja e tij e gjatë prej mërgimtari, z. Gashi është i bindur se integrimi i të huajve është një fat për Gjenevën, të cilën ai e do shumë.

Pyetjes sonë përse ai ka zgjedhur PDC-në dhe si i sheh shqiptarët apo votën e tyre në Gjenevë, ai i përgjigjet me domosdonë që komuniteti ynë të jetë më i përfaqësuar në qendrat lokale të vendosjes. “Është e domosdoshme prania jonë në jetën politike në Republikën e kantonin  e Gjenevës, në të cilën ne shqiptarët jemi një komunitet i rëndësishëm prej më shumë se 40 vjetësh. Këtu kemi një të kaluar të shkëlqyer në funksion të çlirimit të Kosovës. Kishim dhe do të kemi një emër të mirë”.

Samiu ushqen një dashuri për Gjenevën, njerëzit e saj dhe sharmin që ka ky kanton. Ai thotë se ne edhe më tutje do të mbetemi komuniteti më i papërfaqësuar në këtë qytet të bukur, në të cilin është privilegj të jetosh dhe, para së gjithash, edhe të veprosh në mënyre aktive në komunën që e jeton.

Lidhur me atë se sa aktivë janë shqiptarët në jetën politike në Gjenevë, z. Gashi përgjigjet: “Zgjedhjet lokale janë mënyra më e mirë për t’u dëshmuar se ne ekzistojmë dhe se kemi një të ardhme këtu. Është koha e fundit që të artikulohen zëri dhe kërkesat tona. Në këtë fushatë garuese jam pjesë e një partie tradicionale, PDC, me qëllim që ta kërkoj votën tuaj, sepse ajo më mundëson t’ju ndihmoj dhe të jem në shërbimin tuaj”.

Rreth vlerave që përfaqëson PDC-ja, kandidati i saj për këshilltar komunal thotë: “Partia në të cilën unë bëj pjesë është parti që me shekuj përfaqëson vlerat më burimore evropiane dhe zvicerane: familjen, progresin, tolerancën…”

Gashi, duke bërë fjalë në vazhdim lidhur me nevojat e komunitetit tonë këtu, shprehet se komuniteti ynë ka nevojë për ndihmë dhe mirëkuptim.

Ndër të tjera ai shton se “në Gjenevë jetojnë tri gjenerata të mërgatës shqiptare. Gjenerata e parë ka vuajtur dhe ka kontribuar shumë. Ajo ka ruajtur një emër shumë të mirë dhe tani është pa ndonjë përkujdesje. Është detyrim yni që jemi më të rinj t’i mbrojmë interesat e kësaj gjenerate të artë që ne na siguroi edhe një atdhe të dytë e të mrekullueshëm, Zvicrën”. 

Gjenerata e mesme gjithashtu ka bërë shumë, ajo ka qenë e angazhuar e tëra në çlirimin e Kosovës. Për fatin e mirë, kjo gjeneratë është stabilizuar, ka krijuar familje këtu dhe gëzon shumë të mira që jep një vend i prosperuar, siç është atdheu ynë i dytë, Zvicra.

“Disa pjesëtarë të kësaj gjenerate kanë ecur shumë përpara, por u mungon një përfaqësim adekuat që ata të jenë më shumë prezentë në jetën e këtij qyteti të njohur anë e kënd botës. Këta njerëz të aftë duhet të jenë të pranishëm në institucionet përkatëse shtetërore. Do të bëhem me kënaqësi avokati i tyre”.

Ndërsa për të rinjtë, të cilët i quan “gjeneratë e shpresave”, Sami Gashi thotë se ka fatin të gëzojë më shumë të mirat e Zvicrës. “Atë që ne nuk e kishim dhe e ëndërruam me vite, sot të rinjtë tanë e kanë në anën e tyre të „lojës“. Gjenerata e re ka fatin t’i gëzojë të gjitha të mirat dhe mundësitë që ofron një qytet i mrekullueshëm siç është Gjeneva.

Ajo ka mundësitë që të shkollohet, të përparojë dhe të integrohet plotësisht në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike këtu. Si përfaqësues i komunitetit tonë në këtë qytet do të bëj çdo gjë të mundshme që të krijohen mekanizma adekuatë që kjo gjeneratë të ecë përpara dhe ne, prindërit e saj, të mburremi me të. Një përkujdesje e vogël shtetërore do t’i jepte krah kësaj gjenerate të shpresës që të prosperojë pandalshëm”.

Duke qenë se kandidon në Gjenevë, Sami Gashi ka sigurisht porosi për t`u drejtuar edhe qytetarëve të Gjenevës. “U premtoj votuesve të mi se do të jem zëdhënësi më i mirë e më i vendosur i aspiratave të një gjenerate të re dhe të këtij komuniteti që ka dhënë kontributin e vet modest që Gjeneva të jetë kjo që është: ndër qytetet më të bukura dhe më të nderuara të botës”.