Lajme

Zvicra merr drejtimin e OSBE-së për vitin 2026

Për herë të tretë në këtë rol, Berna angazhohet për dialog gjithëpërfshirës, paqe të qëndrueshme dhe forcimin e sigurisë evropiane. Në një Evropë të shënuar nga tensionet dhe lufta, kryesimi zviceran vë në qendër dialogun, sigurinë dhe parimet e Helsinkit.

Nga 1 janari 2026, Zvicra ka marrë zyrtarisht kryesimin e OSCE – Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, duke u bërë vendi i parë që e ushtron këtë rol për herë të tretë, pas mandateve të mëparshme në vitet 1996 dhe 2014. Ky mandat përbën një vazhdimësi të angazhimit afatgjatë të Zvicrës për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropë dhe më gjerë.

Në një moment kritik për arkitekturën e sigurisë evropiane, të karakterizuar nga lufta, polarizimi politik dhe sfida të reja teknologjike, Zvicra e nis kryesimin me pesë prioritete strategjike: forcimin e Parimeve të Helsinkit për një paqe të qëndrueshme; diplomacinë shumëpalëshe gjithëpërfshirëse; parashikimin e teknologjive për një të ardhme të sigurt dhe humane; mbrojtjen e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut; si dhe rritjen e aftësisë vepruese të OSBE-së.

“Përballë luftës në Evropë, Zvicra është e përkushtuar për një paqe të drejtë në Ukrainë, të bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e Helsinkit,” deklaroi ministri i Jashtëm zviceran Ignazio Cassis, i cili mban njëkohësisht edhe funksionin e Kryetarit në detyrë të OSBE-së. Ai theksoi se Zvicra do të përdorë përvojën e saj të gjatë në ndërmjetësim për të promovuar dialogun, besimin dhe sigurinë mes shteteve pjesëmarrëse.

Kryesimi zviceran synon të nxisë dialog gjithëpërfshirës mbi çështjet e sigurisë me të 57 shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së. “Edhe pse tensionet janë të pranishme, OSBE-ja mbetet e pazëvendësueshme. Kur diplomacia duket e pamundur, ajo bëhet thelbësore,” u shpreh Cassis, duke vënë në dukje rëndësinë e konsensusit dhe përgjegjësisë së përbashkët në funksionimin e organizatës.

Gjatë mandatit të saj, Zvicra do të vazhdojë të mbështesë misionet e OSBE-së në terren dhe vëzhgimin e zgjedhjeve, duke siguruar që demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut të mbeten në qendër të sigurisë evropiane. Kryesimi do të fokusohet veçanërisht në angazhimin e drejtpërdrejtë me shtetet dhe rajonet kyçe të organizatës, përmes vizitave të planifikuara të ministrit Cassis në zona prioritare.

Në kuadër të agjendës së vitit 2026, Zvicra do të organizojë katër konferenca ndërkombëtare, si dhe Këshillin Ministror të OSBE-së. Konferenca e parë do të mbahet më 9 dhe 10 shkurt në St. Gallen dhe do t’i kushtohet luftimit të antisemitizmit dhe formave të tjera të intolerancës. E dyta, më 7 dhe 8 maj në Gjenevë, do të trajtojë ndikimin e zhvillimeve shkencore dhe teknologjike në sigurinë dhe bashkëpunimin evropian. Konferenca e tretë, më 3 dhe 4 shtator në Bernë, do të reflektojë mbi fillesat dhe misionin themelor të OSBE-së, ndërsa e katërta, më 29 dhe 30 shtator në Zug, do të fokusohet në uljen e tensioneve në hapësirën kibernetike.

Me këtë kryesim, Zvicra riafirmon aktualitetin e Aktit Final të Helsinkit si themel i sigurisë evropiane. “Nuk mjafton ta festojmë Helsinkin, duhet ta përditësojmë. Parimet e tij nuk janë një trashëgimi simbolike, por një manual veprimi,” ka theksuar ministri Cassis.

Kryesimi i OSBE-së për vitin 2026 e vendos Zvicrën në thelbin e diplomacisë evropiane, në një vit që pritet të jetë vendimtar për të ardhmen e dialogut, sigurisë dhe paqes në kontinent.

Për më shumë informacione: https://www.osce.org/

Për albinfo.ch Luljeta Ademi