Koronavirusi: çast pas çasti

Zvicra nuk kontrollon dot të kthyerit: Gjithçka i lihet “vullnetit të tyre të mirë”

Sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik, ajo mund të mbështetet vetëm në vullnetin e mirë të qytetarëve dhe denoncimet e mundshme nga palët e treta

Ata që kanë shkuar ose do të shkojnë me pushime në Suedi, Kosovë, Serbi etj., sipas vendimit të marrë ditë më parë nga Këshilli Federal, pas kthimit në Zvicër duhet të futen në karantinë për 10 ditë. Kështu është të paktën “me letra”. Por efektiviteti i kësaj mase po rezulton i diskutueshëm, shkruan Agjencia e Lajmeve e Zvicrës, Keystone-SDA.

Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG), për zbatimin e kësaj mase mbështetet në vullnetin e mirë të qytetarëve, transmeton albinfo.ch. Por, a është e mjaftueshme për të parandaluar një valë të dytë?

Shkurt, masat federale për njerëzit që kthehen nga vendet me rrezikshmëri të infeksionit me koronavirus nuk janë të lehta për tu zbatuar, konstaton agjencia e lajmeve. Sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik, ajo mund të mbështetet vetëm në vullnetin e mirë të qytetarëve dhe denoncimet e mundshme nga palët e treta.

Njerëzit që kthehen në Zvicër nga njëri prej 29 vendeve të listuara si problematike, doganat janë të autorizuara t’ua kujtojë detyrat e tyre, përcjell albinfo.ch. Kjo detyrë është: që ata të raportojnë tek autoritetet në kantonin e tyre brenda 48 orëve të ardhshme. Personat e ndaluar në këtë mënyrë duhet të sigurojnë vetëm në mënyrë verbale se do t’i përmbahen këtij detyrimi.

Kontrollet sistematike, të pamundura

Pyetjes së Agjencisë së lajmeve Keystone-SDA, Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG) i është përgjigjur duke pranuar se “është e vështirë të sigurohet që të gjithë t’i zbatojnë rregullat. Nuk ka asnjë garanci se personat e prekur do ta raportojnë veten”.

Kontrollet sistematike në kufijtë tokësorë janë të pamundshme. Nga ana tjetër, për ata pasagjerë që në Zvicër mbërrijnë me aeroplan, të dhënat regjistrohen gjatë fluturimit dhe ata informohen, transmeton albinfo.ch. Një qasje e ngjashme është parashikuar edhe për udhëtimin me autobus.

Frika nga gjoba dhe nga denoncimi i rrethit shoqëror

BAG mbështetet në ndërgjegjen e popullatës dhe efektin parandalues ​​të gjobave të mundshme. Kështu, personat të cilët në mënyrë të qëllimtë nuk e respektojnë karantinën dhjetë ditore, mund të marrin një gjobë deri në 10.000 franga ndërsa deri në 5.000 franga është gjoba për neglizhim të vendimit. Sipas BAG, kantonet janë përgjegjës për zbatimin e ligjit.

“Po ashtu, nuk duhet të nënvlerësohet efekti i kontrollit shoqëror. Një person që kthehet nga një zonë e rrezikut zakonisht nuk është i vetmi që di për këtë. Familja juaj, rrethina e tij, dhe punëdhënësi mund të informohen për këtë, “shkruan BAG.

Karantina është një nga masat më efektive për të ndërprerë zinxhirët e transmetimit të Covid-19, kujton Zyra Federale, përcjell albinfo.ch. Sidoqoftë, Qeveria Federale është e gatshme të adaptojë sistemin e saj nëse është e nevojshme.