Lajme
Zyrtarët francezë ngrejnë zërin kundër përjashtimit të nxënësve ndërkufitarë në Gjenevë
Vendimi i Këshillit të Shtetit të Gjenevës për t’i dhënë fund regjimit kalimtar që lejonte nxënësit me banim në Francë të ndiqnin shkollën në kanton, vazhdon të kritikohet ashpër nga pala franceze, si në thelb ashtu edhe në formë. Deputetë të Asamblesë Kombëtare dhe të Senatit francez kanë njoftuar bojkotimin e strukturave të bashkëpunimit ndërkufitar.
“Nuk kemi përjetuar kurrë një përçmim të tillë në kuadër të marrëdhënieve ndërkufitare,” thuhet në një komunikatë të mbrëmjes së së mërkurës, të firmosur nga deputetet e Haute-Savoie, Virginie Duby-Muller dhe Anne-Cécile Violland, nënkryetari i Senatit Loïc Hervé, si dhe Florent Benoît, president i Communauté des communes du Genevois, transmeton albinfo.ch
Zyrtarët francezë paralajmërojnë: “Nëse kantoni i Gjenevës zgjedh të mbështesë marrëdhëniet ndërkufitare mbi logjikën e forcës, atëherë le të përballojë pasojat. Por duhet të dijë një gjë: nënvlerëson vendosmërinë e të zgjedhurve francezë dhe historinë e vendit tonë.” Ata shpallin bojkotimin e Komitetit Rajonal Franko-Gjenevas nga ana e përfaqësuesve francezë.
Një takim i tensionuar
Ky reagim vjen pas një takimi të premten e kaluar mes Këshillit të Shtetit të Gjenevës, ambasadorit francez në Zvicër dhe prefektit të rajonit Auvergne-Rhône-Alpes, lidhur me përjashtimin e nxënësve ndërkufitarë nga sistemi arsimor i Gjenevës. Ekzekutivi kantonal rikonfirmoi vijimin e sistemit të planifikuar dhe propozoi krijimin e një grupi monitorimi.
Florent Benoît, president i Komunës së Bashkuar të Gjenevës, i ftuar në emisionin Forum, e përshkroi atmosferën si veçanërisht të tensionuar:
“Takimi zgjati vetëm 30 minuta. Komunikata e shtypit ishte përgatitur paraprakisht nga pala zvicerane, duke shpallur se do të mbeten të palëkundur në qëndrimin e tyre, ndërkohë që qëllimi i këtij takimi ishte dialogu mes autoriteteve franceze.”
Më shumë se 300 nxënës të prekur
Vendimi për të përjashtuar nxënësit me banim në Francë nga shkollat e Gjenevës u mor në vitin 2018, me një dispozitë kalimtare që u lejonte atyre që kishin nisur shkollimin në kanton, ose kishin vëllezër e motra që ndiqnin shkollat atje, të vazhdonin mësimin. Në qershor, Këshilli i Shtetit shpalli përfundimin e këtij regjimi, duke u dhënë nxënësve të mbetur vetëm mundësinë të përfundonin ciklin aktual.
Nga viti i ardhshëm, 329 nxënës ndërkufitarë që aktualisht ndjekin shkollat e Gjenevës – shumica me shtetësi zvicerane – do të preken nga ky vendim dhe do të duhet të shpërndahen në gati 90 komuna franceze. Një grup familjesh ka paraqitur dy ankesa në Gjykatën Kushtetuese.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Miratohet unanimisht Marrëveshja për Tregti të Lirë të Kosovës me EFTA Me 190 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Dhoma e Përfaqësuesve e Parlamentit të Zvicrës... -
Mustafa kritikon presidenten Osmanin për takimet me diasporën gjatë fushatës -
Slloveni
Ganimet Shala, asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e Lubjanës -
Lir Hajrizi: Pianisti që po tejkalon kufijtë e talentit -
Mërgata do të votojë më 27 dhjetor në përfaqësitë diplomatike, KQZ jep udhëzime për procesin
Jeta në Zvicër
-
Swisscom do të heqë plotësisht teknologjinë 3G deri në fund të vitit 2025 Siç ishte njoftuar më parë, operatori Swisscom do të ndërpresë përdorimin e teknologjisë 3G deri në... -
Marketingu i influencerëve në Zvicër: Praktika jo të rregulluara dhe të dëmshme për të rinjtë, paralajmëron FRC -
Zgjedhjet komunale në Vernier konfirmohen nga Këshilli i Shtetit -
Dyqanet në Gjenevë hapen këtë të diel -
Parlamenti i Zvicrës miraton unanimisht marrëveshjen për tregti të lirë të Kosovës me EFTA











