Jeta në Zvicër

Edhe pse nuk kaloi në semafor të kuq, gjobitet me 250 franga

Një shtetas francez është dënuar në Gjenevë edhe pse drita në semafor ka qenë e gjelbër, por është nisur me vonesë. Për këtë ndalesë të shkurtër, ai është gjobitur

Një zyrtar i një organizate ndërkombëtare nga Ferney-Voltaire të Francës, që punon në Gjenevë, gjatë kësaj vere është gjobitur nga policia zvicerane. Arsyeja e gjobës në trafik, e ka irrituar pa masë francezin.

Në ditën e festës kombëtare franceze, ai ka qenë duke qarkulluar në “Rue de Lausanne” në Gjenevë, rreth orës 15.00. Papritmas, ai është ndalur nga policia zvicerane, e cila e ka gjobitur me 250 franga për shpërfilljen e një sinjali të komunikacionit, transmeton albinfo.ch.

Ndryshe nga shumë vozitës të tjerë, francezi nuk u gjobit sepse kishte vozitur në semafor të kuq, por pasi ai nuk e kishte nisur veturën e tij menjëherë pasi është ndezur drita e gjelbër.

“Sjellja e tre oficerëve të rinj të policisë më tregoi qartë se ata kishin kënaqësi për të gjobitur një të huaj, veçanërisht për shkak se unë jam francez”, ka shpjeguar shtetasi francez për “Le Dauphine”, transmeton Albinfo.ch.

Ai ishte i bindur se autotarga franceze ishte një “arsye e rëndësishme për ta gjobitur”. Më 17 korrik, tre ditë më vonë, ai i dërgoi një letër autoriteteve përkatëse. “Pasi nuk mora përgjigje, unë shkova atje”.

Francezi u përpoq për të negociuar: “Unë i thashë nëpunësve policorë se me këtë rast askujt nuk ia kam rrezikuar jetën vetëm për shkak se nuk u nisa për 20 sekonda, edhe pse drita ishte e gjelbër”.

Por, policia i ishte përgjigjur se ky veprim është po aq i keq, pasi e pengon trafikun.