Kosova

Fillon sonte festa e vjeljes së rrushit, “Hardh Fest”

E veçanta e këtij edicioni është ardhja e legjendës së muzikës rock, Joe Lynn Turner, ish vokalist i grupit Deep Purple dhe Rainbow, i cili do të interpretojë gjatë koncertit të Hardh Fest 2017

Me sloganin “Mbas Verës, Vjen Vera”, këtë vit mbahet edicioni i 16 i festës së vjeljes së rrushit  “Hardh Fest”. Ky festival tradicional, i cili organizohet dhe mbështetet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe nga Komuna e Rahovecit, do të  jetë i hapur deri më 10 shtator, transmeton albinfo.ch.

Gjatë kësaj kohe, prodhuesit e rrushit dhe verës do të  kenë mundësinë e promovimit të produkteve të tyre. Ministria e Bujqësisë bën të ditur se gjatë këtij viti ka investuar edhe në  hapësirën në të cilën do të organizohet festivali, vend ky i cili mund të shfrytëzohet edhe për shitjen e prodhimeve bujqësore nga fermerët e kësaj ane edhe pas përfundimit të festivalit.

E veçanta e këtij edicioni është ardhja e legjendës së muzikës rock, Joe Lynn Turner, ish vokalist i grupit Deep Purple dhe Rainbow, i cili do të interpretojë gjatë koncertit të Hardh Fest 2017.