Kosova

IKMM-ja i jep leje Komunës për punimet në sheshin “Adem Jashari” 

Projekti është dashur të miratohej nga IKMM-ja, për shkak që hapësira ku kishin nisur punimet është udhëkryq midis tri monumenteve

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve i ka dhënë pëlqim projektit të Komunës së Prishtinës për rimodelimin e sheshit “Adem Jashari”.

Këtë e ka konfirmuar për KTV-në Ardiana Qorraj, ushtrues detyre e drejtoreshës së IKMM-së. Qorraj ka thënë se instituti ka vendosur në mbledhjen e mbajtur, ku është shqyrtuar projekti në aspektin e trashëgimisë kulturore. Kësisoj, punimet në rimodelimin e ish-sheshit të “Vëllazërim-Bashkimi”, në qendër të Prishtinës, do të vazhdojnë.

Projekti është dashur të miratohej nga IKMM-ja, për shkak që hapësira ku kishin nisur punimet është udhëkryq midis tri monumenteve. Rrënojat e Hamamit të vogël në oborrin e Kuvendit të Kosovës, shtëpia gati njëshekullore, me pronar Gazmend Abrashin dhe Xhamia e Çarshisë bëjnë që sheshi “Adem Jashari” të jetë brenda perimetrit të mbrojtur për shkak të monumenteve.

Ndërsa përmendorja që ka formë trekëndëshi nuk është nën mbrojtje si aset i trashëgimisë kulturore.