Sport

Mblidhen 100 mijë nënshkrime për iniciativën e ndalimit të burkas

Pas plotësimit të normës, komiteti do ta dorëzojë listën e nënshkrimeve në Kancelarinë Federale, e cila do të vendosë që populli i Zvicrës mund të votojë për këtë iniciativë

Pak para përfundimit të afatit të paraparë me ligj, një komitet i themeluar nga deputeti i SVP-së, Walter Wobmann ka arritur t`i grumbullojë 100 mijë nënshkrimet e nevojshme për iniciativën e ndalimit mbulessë së plotë myslimane, burka-s.

Pas plotësimit të normës, komiteti do ta dorëzojë listën e nënshkrimeve në Kancelarinë Federale, e cila do të vendosë që populli i Zvicrës mund të votojë për këtë iniciativë, shkruajnë mediat zvicerane.

Wobmann ka konfirmuar se kushti është përmbushur dhe se gjithçka është gati për votim. Ndërsa pjesën më të madhe të meritave për kurorëzimin e kësaj iniciative e ka pensionisti 76 vjeçar nga Willisau i Kantonit të Lucernit, Erwin Lötscher. Ai, i vetëm, ka mbledhur 9700 nënshkrime.

Ndalimi i burkas tashmë prej një viti është bërë realitet në Kantonin e Tiçinos, transmeton albinfo.ch. Ndërsa ndër shtetet evropiane që kanë ndaluar atë janë: Franca, Belgjika, Holanda dhe Bullgaria. Nga tetori i këtij viti mbulesa myslimane do të ndalohet edhe në Austri.