Zhvillim

Mërgimtari nga Zvicra ndihmon në ndërtimin e një shtëpie në Gjilan

Ramadan Ramadani, me të parë rëndësinë e madhe që kishte kjo shtëpi për familjen e dedikuar, ka thënë vetëm “Dhashtë Zoti, të gjithë të kenë shtëpi”

Diaspora shqiptare vazhdon të ndihmojë e të kontribuojë në forma të ndryshme në Kosovë. Kështu ka ndodhur edhe në rastin e fundit, njofton albinfo.ch.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri së bashku me donatorët, Ramadan Ramadani dhe Agim Aliu, me firmën “Vëllezërit Aliu”, kanë nisur ndërtimin e shtëpisë për familjen e Veli Aliut, i cili pos kushteve të rënda ekonomike dhe mungesës së shtëpisë, në familjen e tij ka edhe fëmijë me aftësi të kufizuara që lëvizin vetëm përmes karrocave.

Haziri ka thënë se kjo është shtëpia e 43-të me radhë që ndërtohet dhe është për një familje me kushte jashtëzakonisht të rënda dhe fatkeqësisht me fëmijë me nevoja të veçanta.

“Falënderoj shumë donatorët, Ramadan Ramadanin, i cili është bashkatdhetar i yni nga Zvicra dhe Agim Aliu me firmën e vëllezërve të tij, të cilët kanë vendosur ndërtimin e kësaj shtëpie. Kjo është shtëpia e 43-të me radhë që po ndërtohet për dy vit e gjysmë”, deklaroi Haziri.

E donatori Ramadan Ramadani, me të parë rëndësinë e madhe që kishte kjo shtëpi për familjen e dedikuar, shkurtimisht para gazetarëve ka thënë vetëm “Dhashtë Zoti, të gjithë të kenë shtëpi”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjilanit.

Donatori tjetër Agim Aliu, ka garantuar që shtëpia e nisur në afatin më të shpejt të mundshëm do të kryhet nga firma “Vëllezërit Aliu”, dhe po ashtu ka konfirmuar angazhimin e tyre në vepra të prekshme humane për të gjitha ata që kanë kushtet e rënda.