Lajme

​Gjermania e Austria mbështesin arsimin në Kosovë

Gjermania e Austria përkrahin prioritetin e Qeverisë së Kosovës për përmirësimin e gjendjes në arsim

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka pritur sot ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin në arsim dhe prioritetet që ka Qeveria e Kosovës për ta përmirësuar gjendjen në arsim.

Ambasadori Heldt ia konfirmoi asaj mbështetjen e partnerëve për zhvillimin e arsimit në Kosovë.

Ministrja Bajrami falënderoi shtetin gjerman për ndihmën e pakursyer që i ka dhënë Kosovës në faza të ndryshme, ndërsa shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me partnerët zhvillimorë, në mënyrë që të mos ketë ngecje apo vështirësi në implementimin e projekteve.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Hykmete Bajrami, ka pritur sot në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin ndërshtetëror në sektorin e arsimit.

Diplomati austriak me këtë rast ka konfirmuar mbështetjen e vendit të tij për zhvillimin e arsimit, në veçanti atij të lartë, ku është e koncentruar mbështetja austriake.

Ndërsa, ministrja Bajrami ka mirëpritur gatishmërinë e shtetit austriak për të ndihmuar sektorin e arsimit në Kosovë, duke thënë se kjo është shumë e rëndësishme për realizimin e prioriteteve dhe objektivave për sigurimin e një arsimi sa më cilësor për të rinjtë kosovarë, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.