Kosova

​Paraqitet rrejshëm si veteran, gjykata merr këtë vendim

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka dënuar me një vit heqje lirie me kusht ndaj të pandehurit R.G. për shkak se kishte paraqitur dokumentacion të falsifikuar se kinse është veteran i luftës, me qëllim të përfitimit të pensionit.

I dyshuari R.G. më 26.02.2018, në Departamentin për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile – Zyra në Pejë pranë MPMS-së vë në lajthim organin kompetent që në dokumentin publik – regjistrin të vërtetojë një çështje të pavërtetë, të paraparë për të shërbyer si provë në një çështje ligjore, në atë mënyrë që duke prezantuar dokumentet e falsifikuara – certifikatën mbi statusin e veteranit të luftës si dhe vërtetimin se kinse i njëjti është veteran luftëtar i UÇK-së, dokumente këto të falsifikuara, me ç’rast arrin të përfitojë pensionin mbi statusin e veteranit të luftëtar, duke marrë pagën prej 170 eurosh, shkruajnë mediat kosovare, përcjell albinfo.ch.

Me këto veprime i pandehuri R.G. ka kryer veprën penale legalizim i përmbajtjes së rreme sipas KPRK-së. Ndaj të pandehurit gjykata shqiptoi edhe dënimet plotësuese: urdhri për kompensimin e dëmit apo humbjen në shumë prej 1360 euro dhe urdhri për publikimin e aktgjykimit.

I pandehuri u detyrua që gjykatës në emër të paushallit gjyqësor t’ia paguajë shumën prej 20 euro, ndërsa në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 30 euro. Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.