Kosova

Kosovë: Zëdhënësi i Qeverisë reagon pas demantimit të Presidencës për mbështetjen ndaj Osmanit

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuku, ka komentuar pas deklaratës së Presidencës që mohoi se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i ka ofruar presidentes Vjosa Osmani mbështetje dhe nënshkrimet e nevojshme për një mandat të dytë.

Shefja e stafit të presidentes, Learta Hollaj, e quajti pretendimin e LVV-së “gënjeshtër” dhe theksoi se presidentes nuk i është ofruar asnjë mbështetje për rizgjedhje. Në postimin e saj në Facebook, ajo shkroi:

“Presidentja Osmani demanton se i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja nga LVV për rizgjedhje si Presidente e Republikës së Kosovës. Kjo është gënjeshtër.”

Pas këtij reagimi, Manxhuku iu përgjigj në rrjetet sociale duke siguruar se LVV-ja është gati të ofrojë mbështetje.

“Nëse shefja e zyrës së Presidentes ka dyshime se nuk i kemi premtuar Presidentes 30 nënshkrime, e ftoj që të vijë në zyret e Lëvizjes, ku do të ketë edhe 3 më shumë se kandidati Glauk Konjufca, pra gjithsej 33.”, shkroi Manxhuka.

Ndërkaq, Hollaj kritikoi LVV-në për mënyrën e trajtimit të procesit të kandidaturës së Osmanit, duke e cilësuar si një përpjekje për të fajësuar opozitën për zgjedhje të mundshme:

“Të kërkosh që dikush të bëhet formalitet vetëm për numër, për të fajësuar pastaj opozitën, është turp. Presidentes nuk i është ofruar asnjë votë për rizgjedhje, por vetëm të bëhet formalitet.”

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual, që në këtë rast përfundon më 4 prill, duke vendosur afatin e fundit për zgjedhje më 5 mars.