Lajme
Tragjedia në Crans-Montana: edhe dy punonjës komunalë nën hetim
Zyra e Prokurorisë Publike të kantonit Valais ka zgjeruar hetimet lidhur me tragjedinë e Crans-Montana, duke vënë nën hetim edhe një person tjetër. Siç mëson RTS, bëhet fjalë për drejtuesin aktual të Departamentit të Sigurisë Publike të komunës, i cili pritet të merret në pyetje javën e ardhshme, transmeton albinfo.ch.
Me këtë zhvillim, numri i personave të akuzuar në hetimin penal, i cili po zhvillohet nga tre prokurorë të Valais-it, ka shkuar në katër. Ndër ta janë edhe Jacques dhe Jessica Moretti, drejtuesit e hotelit “Constellation”. Çifti francez është marrë tashmë në pyetje nga Prokuroria Publike e Valais-it.
Që prej së mërkurës, nën hetim është edhe ish-përgjegjësi i sigurisë së komunës së Crans-Montana-s. Në vitet 2018 dhe 2019, ai kishte inspektuar ambientet e barit “Le Constellation” dhe kishte hartuar raporte kontrolli, me fokus të veçantë te masat ekzistuese të mbrojtjes nga zjarri.
Ndërkohë, këtë të enjte, si i dyshuar është thirrur edhe drejtuesi aktual i Departamentit të Sigurisë Publike të komunës. Për momentin, akuzat ndaj tij nuk janë bërë të ditura. Megjithatë, theksohet se asnjë inspektim në “Constellation” nuk është kryer që nga viti 2019, ndonëse kontrollet duhej të realizoheshin çdo vit.
Prokuroria Publike pritet të hetojë arsyet e këtyre mangësive, si dhe të rishqyrtojë inspektimet e viteve 2018 dhe 2019, të cilat nuk kishin evidentuar probleme me shkumën akustike të instaluar nga Jacques Moretti – material që rezultoi të ishte shkaku kryesor i tragjedisë së 1 janarit.
Komuna nuk do të jetë palë në proces
RTS raporton gjithashtu se komuna e Crans-Montana-s nuk do të jetë palë në procedurat gjyqësore. Fillimisht, komuna kishte kërkuar të njihej si palë paditëse, me synimin për të pasur qasje në dosjen penale dhe për të kërkuar dëmshpërblim për dëmet e mundshme.
Pasi kjo kërkesë u refuzua nga Prokuroria Publike, komuna kërkoi të përfshihej të paktën si “palë e thjeshtë” në proces, çka do t’i lejonte qasje në dosje, por jo të drejtën për dëmshpërblim. Edhe kjo kërkesë u refuzua, sipas një vendimi të datës 27 janar.
Komuna ka tashmë një afat prej dhjetë ditësh për të paraqitur ankesë ndaj këtij vendimi.
E-Diaspora
-
GESS Who! organizon udhëtimin e parë ndërkombëtar, 23 studentë të ETH Zürich eksplorojnë Kosovën Studentët e Gess Who! – Unionit për Shkenca Humane, Sociale, dhe Politike në ETH Zürich, u... -
Ushtari arbëresh surprizon me shqipen e tij: “Kam lindur në Itali, por jam arbëresh” -
Pianistja shqiptare Fatjona Maliqi interpretoi veprën monumentale të Bach-ut në Gjermani -
Gjermani
Shqiptarja Lindita Nebiu Hyseni ligjëruese në Universitetin SRH në Mynih -
Suedi
Getoar Luta diplomon në Universitetin prestigjioz të Uppsallës në Suedi
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Parlamenti mund të vendosë për ndalimin e simboleve naziste Veç kryqit të thyer do të ndalohen edhe përshëndetja e Hitlerit dhe simbolet e modifikuara, siç... -
Cyrihu do të vazhdojë të kufizojë ndihmën sociale për refugjatët ukrainas -
Stuhi të forta sjellin breshër dhe bubullima në Zvicër -
Influencuesi lirohet nga akuzat për nxitje të urrejtjes ndaj të huajve -
Stuhia goditi masivisht Cyrihun, raportohet për dëme materiale













