Kosova

2023, viti i Kristian Kabashit 

Nëse jeni shqiptar dhe dikush që lexoni lajme, ose që keni llogari në TikTok, pa dyshim se sivjet keni dëgjuar për Kristian Kabashin... 

Një sipërmarrës i suksesshëm në diasporë që kishte vendosur të kthehet në Kosovë dhe të zgjeronte kompaninë e tij të suksesshme zvicerane, por me një mision që akoma nuk kishte depërtuar tek masa, ndoshta edhe me zgjedhjen e tij.  

Por, ky vit pa dyshim se e bëri Kristianin dhe historinë e tij një nga më të përfolurat dhe të dëgjuarat gjithandej ku ka shqiptarë, e sidomos në Zvicër, ku edhe është nisur biznesi i tij i njohur fintech, Numarics, gjatë vitit 2023.  

Kristiani ka lindur në Gjermani dhe, siç e ka treguar ai shumë herë, ka lëvizur dhe ka jetuar në shumë vende të botës.  

Pasi kaloi në shumë kompani të mëdha e të njohura, ku kulmoi me kompaninë Dentsu si një global executive, ai vendosi të nisë një kompani të veten në Zvicër, bashkë me partnerin e tij, Dominique Rey.  

Kabashi dhe Rey formuan Numarics, një fintech kompani që për një kohë shumë të shkurtër arriti të ndryshojë dhe të ‘trondisë’ tregun zviceran. Kjo u arrit sidomos me revolucionin që sjell aplikacioni i tyre në të bërit biznes.  

Përkundër se kishte punësuar dhe vazhdon të punësojë shumë shqiptarë në Zvicër, Kristiani nuk ndihej i përmbushur. Ai donte që të rriste kontributin për atdheun e tij, Kosovën. Edhe pse nuk ishte lindur e as rritur në Kosovë, nuk e dinte shumë mirë as gjuhën shqipe, asnjë sukses nuk i mjaftonte pa u kthyer dhe tentuar që të bëjë diçka në Kosovë.  

Andaj, ai vendosi të kthehet dhe të hapë një nga zyret e Numarics pikërisht në Kosovë, ta udhëheqë vetë dhe të zhvendoset e të jetojë aty, deri sa të arrijë majat e suksesit me Numarics dhe me zyrën e Kosovës. Sot Numarics numëron mbi 12 zyra, shumica absolute e tyre në Zvicër, por Kristianin e dëgjon duke folur me pasion vetëm për zyrat e Kosovës, ku ka punësuar gati 40 persona dhe synon që shumë shpejt këtë numër ta çojë në mbi 200. 

Puna e madhe e bërë ndër vite kulmoi sivjet me shumë çmime dhe lajme të mëdha, si për Numarics, ashtu edhe për vetë Kristianin.  

Numarics, në kuadër të shumë zhvillimeve, përveç që me klientelë e kaloi numrin 3500, ka arritur të gjenerojë një investim prej mëse 10 milionë dollarësh dhe u bë partner i bankës më të madhe në Zvicër dhe një nga më të mëdhatë në botë, UBS. Në arritjen e partneritetit të parë të këtij lloji në Evropë për Numarics, Kristiani kishte jo pak ndikim. 

Sa i përket vetë Kristianit, përveç tjerash në këtë vit ka pasur artikull të veçantë në revistën më të madhe biznesore në botë, Forbes, ka qenë prezent në mediat më të mëdha në Kosovë, ka gjeneruar miliona shikime me videot e tij në rrjetet sociale, ku ka folur për Numarics dhe të bërit biznes në Kosovë, ka qenë pjesë e një numri të madh të konferencave, duke përfshirë forumin shqiptaro-zviceran për financa, sigurim dhe patundshmëri të organizuar nga Albinfo.ch dhe ka kulmuar me çmimin kryesor si Sipërmarrës i Vitit 2023 në Swissalbs awards. 

Këto suksese, përveç tjerash e kanë pasur edhe një rezultat jashtëzakonisht interesant: disa shqiptarë që jetojnë jashtë kanë shprehur interesim që të kthehen dhe t’u bashkohen zyrave të Numarics në Kosovë. Janë të paktën 3 persona që janë në proces për ta bërë këtë transferim deri në fund të vitit.  

Arritjet e lartcekura pa dyshim se e bëjnë Kristianin një nga shqiptarët më të suksesshëm të vitit që po e lëmë pas.  

Por, ambiciet e tij për vitet e ardhshme, si zgjerimi i Numarics në tregjet e tjera evropiane, hapja e zyrave të reja në trojet e tjera shqiptare, si në Shqipëri, dhe duke e parë se ky është vetëm fillimi, na bëjnë të besojmë se Kristiani ka edhe shumëçka për të na treguar në vitin 2024 dhe të ardhmen.