evente

30-vjetori i shoqatës “Bashkimi”, një festë për shqiptarët e Usterit

Me praninë e përfaqësuesve nga shtetet e prejardhjes dhe autoriteteve të qytetit, është shënuar përvjetori i 30-të i shoqatës shqiptare "Bashkimi" në Uster (ZH)

Përvjetori i 30-të, jubilar, i themelimit të shoqatës kulturore shqiptare “Bashkimi” në Uster të Cyrihut është shënuar me një aktivitet të përgatitur me shumë përkushtim, të shtunën që shkoi, më 28 tetor.

Mbrëmja ishte konceptuar si një aktivitet me elemente të spektaklit, me shkëlqimin që i takonte një jubileu të tillë, por dhe me përmbajtje që pasqyronte realisht ecjen e suksesshme të “Bashkimit” përgjatë 30 vjetëve, shkruan albinfo.ch. Për të kurorëzuar këtë mision jo të lehtë, kryesia aktuale e shoqatës “Bashkimi”, së bashku me krerët e mëparshëm që e kanë udhëhequr në harkun kohor prej 30 vjetësh, kanë bërë një mobilizim, i cili dha frytet e veta në këtë mbrëmje.

Pothuajse gjithçka rrodhi sipas planit. Duke filluar nga prezantimi në nivel profesional i moderatorit Llesh Nikolla, gazetar dhe regjisor i njohur nga Tirana, dokumentari i shfaqur, autor i të cilit ishte po ai, fjalët e të ftuarve të nderit dhe të njerëzve përgjegjës të “Bashkimit” ndër vite etj. Por, “qershiza mbi tortë” ishin sigurisht vallet e luajtura në mënyrë të mrekullueshme nga anëtarët entuziastë të shoqatës. Ata dhe ato, të gjithë të lindur në Zvicër, me nivelin artistik dhe sidomos me dashurinë për vallen, dëshmuan rëndësinë e misionit parësor që ka “Bashkimi”: kultivimin dhe përcjelljen ndër breza, të traditave kombëtare shqiptare.

Me vallet nga të gjitha trevat shqiptare, ata kanë pasqyruar edhe prejardhjen e tyre nga këto treva, gjë që simbolizon edhe emri i shoqatës, “Bashkimi”.

Këtë mision, të cilin shoqata e ka ndjekur që nga fillimi, pra Bashkimin, e kanë nënvizuar edhe folësit në manifestim, duke e cilësuar si mision të përmbushur. Kështu, ambasadori i ri i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, Mustafa Nano, në një fjalim të frymëzuar ka folur befasinë e këndshme që ka përjetuar duke parë entuziazmin e anëtarëve të kësaj shoqate, shkruan albinfo.ch. Ai ka thënë se në përgjithësi shqiptarët në Zvicër përbëjnë një komunitet jo vetëm të madh e të integruar mirë në shoqëri, por ata dallohen edhe si një komunitet vibrant, me vitalitetin dhe qenien aktive në të gjitha fushat.

Nano ka veçuar edhe nivelin artistik të valltarëve të “Bashkimit”, duke e vlerësuar atë si një përpjekje të lëvdueshme për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të kombit, në mërgim. Ai ka porositur që krahas dashurisë për atdheun e të parëve, brezat e rinj të shqiptarëve të kultivojnë edhe dashurinë për atdheun e ri, Zvicrën, e cila u ka mundësuar zhvillimin e tyre të gjithanshëm, edhe atë kulturor, në frymën e traditave kombëtare.

Kryetarja e Komunës së Usterit, Barbara Thalmann Stammbach, në fjalën e saj ka falënderuar shoqatën “Bashkimi” për ftesën që i ka bërë gjithë këshillit komunal për të marrë pjesë në manifestimin jubilar. Ajo ka nënvizuar bashkëpunimin e shkëlqyer që shoqata ka pasur që nga fillimi, me autoritetet komunale, gjë që ka dhënë fryte edhe në forcimin dhe integrimin e suksesshëm të komunitetit shqiptar në Uster.

Ambasadori i ri i Republikës së Maqedonisë, Rexhep Demiri, i është drejtuar publikut me një fjalë të shkurtër, duke vënë theksin në ruajtjen e unitetit, që simbolizohet edhe nga emri i shoqatës. Ai ka thënë se ndihet i lumtur e krenar që përshëndet si njëri nga tre ambasadorët shqiptarë në Zvicër (nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut). Edhe kjo është një arritje, ka thënë ambasadori, i cili, në rininë e tij ka qenë luftëtar i UÇK-së, në Kosovë.

Të pranishmit i ka përshëndetur edhe konsullja e re e Republikës së Kosovës në Cyrih, zonja Arjeta Gallopeni. Ajo ka thënë veç tjerash se e gëzon fakti se mërgimtarët shqiptarë gjithandej po bëjnë përpjekje për ruajtjen e traditave dhe kulturës kombëtare. Ndërsa ky manifestim i tridhjetëvjetorit të shoqatës “Bashkimi” është një dëshmi e fortë për lidhjen emocionale që këta mërgimtarë kanë me atdheun. Mërgata ka qenë gjithmonë shumë aktive në të gjitha proceset në mbështetje të atdheut.

Fjalë rasti kanë mbajtur edhe disa nga aktivistët dhe ish kryetarët e shoqatës, si Fazli Tahiri, Afrim Hasaj dhe kryetari aktual, Guximtar Alushi.

Ata kanë evokuar kujtimet nga themelimi i “Bashkimit”, duke e quajtur atë në radhë të parë si nevojë të kohës (vitet `90) për t’u identifikuar si shqiptarë në mesin zviceran ku jetonin, shkruan albinfo.ch. Iniciator i parë ka qenë veprimtari Urim Kondri.

Siç e thekson Fazli Tahiri, bashkëthemelues, atëbotë zviceranët nuk i identifikonin shqiptarët si komunitet më vete, por i fusnin në mesin e “jugosllavëve”. Me themelimin e shoqatës shqiptare “Bashkimi”, kjo gjendje ndryshoi.

Në fillimet e veta, shoqata është marrë më tepër me organizime ndihme drejt Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare ndërsa më vonë, me zhvillimin e saj, ka nisur aktivitetet si shoqatë kulturore, me theks të veçantë në kultivimin e valles shqiptare. Aktualisht shoqata ka rreth 120 valltarë, të ndarë në katër grupe valltarësh, që nga mosha dhjetëvjeçare e tutje.

Një pjesë nga repertori i tyre është shfaqur edhe në mbrëmjen e jubileut, me ç`rast valltarët, sidomos të vegjlit dhe më të rinjtë, kanë treguar një përkushtim dhe dashuri të madhe për vallen shqiptare.

Ishin mbresëlënës me paraqitjen me një nivel profesional nga ana e tyre, sidomos të valleve si “Vallja çame”, “Valles së Tropojës”, valleve të Shqipërisë së mesme etj. Krahas vallëzimit bravuroz, edhe larushia e kostumeve të bukura kombëtare të trevave të ndryshme ishte një “ëmbëlsirë” për syrin.

Në një atmosferë festive, me këngë dhe valle shqiptare, festa e 30-vjetorit të “Bashkimit” ka vazhduar deri vonë, me përfshirjen edhe të publikut në valle.

Më shumë foto në galeri: https://www.albinfo.ch/gallery/neper-foto-30-vjetori-i-shoqates-bashkimi-nje-feste-per-shqiptaret-e-usterit/