CH-Ballkani

Ish-liderit opozitar i vazhdohet prapë arresti shtëpiak

Gjykata e Apelit në Kosovë ua ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak deri më 17 shkurt, tre deputetëve opozitarë, Albin Kurtit, Albulena Haxhiut dhe Faton Topalli

Katër ditë para mbajtjes së një proteste gjithëpupullore organizuar nga tri partitë opozitare, Gjykata e Apelit në Kosovë ua ka vazhduar të mërkurën masën e arrestit shtëpiak deri më 17 shkurt, tre deputetëve opozitarë, Albin Kurtit, ish-liderit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dy deputetëve të kësaj Lëvizjes, Albulena Haxhiut dhe Faton Topalli.

Në Gjykatë sot është paraqitur edhe deputetja Donika Kadaj-Bujupi, ndaj të cilës mbetët në fuqi masa e mbrojtjes në liri.

Ata mbeten në arrest shtëpiak, nën dyshimin se kanë hedhur gaz lotsjellës brenda seancave të Kuvendit të Kosovës. Ky veprim konsiderohet vepër penale sipas ligjeve të Kosovës.

Ish lideri opozitar, Albin Kurti ka refuzuar mbrojtjen që i është caktuar me detyrë zyrtare e po ashtu Trupin Gjykues e ka quajtur të padrejtë. Ai gjatë seancës ka kërkuar që t’i lejohet një fjalim, por gjyqtari nuk e lejoi duke thënë se në këtët fazë të gjykimit, nuk lejohet fjala e të pandehurve.

Avokatët e të akuzuarve, Albin Kurti, Albulena Haxhiut dhe Faton Topalli kërkuan që klientëve të tyre t’u ndërpritet masa e arrestit, por kjo kërkesë e avokatëve u refuzua nga gjyqtari i Apelit.
Deputetja dhe shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, veprimet e tyre në Kuvend i ka quajtur të drejta dhe se ato kanë qenë në shërbim të mbrojtjes së Gjykatës Kushtetutës dhe mbrojtjes së interesave të shtetit, të sovranitetit dhe integritetit të vendit.

Kadaj-Bujupi tha se më 9 janar partitë opozitare në protestën gjithëpopullore do ta kundërshtojnë marrëveshjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe demarkacionin me Malin e Zi, njësoj sikurse edhe herëve të tjera.

Ndërkaq deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu e tha se me shpejtësi të madhe u ngrit aktakuza për katër deputetë të opozitës, ndërsa sipas saj, ata nuk po akuzohen për vepra penale, por për bindje politike.

“Pas se një muaj me një shpejtësi u ngrit aktakuza për 4 deputet e opozitës. Aktakuza është ngritur për dy vepra penale: përdorimi i armës dhe pengimi i personit zyrtar”, tha Haxhiu, sipas të cilës, ekzekutivi e gjyqësori e ka kuptuar se persekutime të tilla nuk e ndalin opozitën.