CH-Ballkani

Investitorët e huaj kërkojnë siguri politike e ligjore në Kosovë

Pengesat kryesore për të investuar në Kosovë, sipas një hulumtimi të OEK-së, janë: stabiliteti politik dhe ekonomik, konkurrenca jo lojale, energjia elektrike, korrupsioni..etj

Kriza politike që ka përfshirë Kosovën në dy vitet e fundit dhe korrupsioni në nivel të lartë, janë indikatorët negativ që destimulojnë investitorët e huajt që të vijnë në Kosovë. Kështu u tha në prezantimin “After Care” të përgatitur nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe KIESA dhe përkrahur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar.

Kryetari i Odes Ekonomike, Safet Gërxhaliu tha se në këtë hulumtim janë përfshirë 250 kompani të cilat kanë investuar në Kosovë dhe se rezultatet e hulumtimit paraqesin gjendjen reale dhe nevojën e krijimit të kushteve sa më të mira te të bërit biznes.

Ai me këtë rast theksoi se përkundër disa të arriturave të rëndësishme, në mes tyre edhe fillimit të implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe anëtarësimit në institucionet vendore dhe ndërkombëtare, nuk ka vend për eufori dhe se duhet edhe praktikisht të realizohet orientimi se prioriteti për Kosovën është zhvillimi ekonomik.

Duke prezantuar të gjeturat e hulumtimit këshilltari strategjik i OEK-ut, Berat Rukiqi theksoi se stabiliteti makroekonomik i Kosovës, përkundër cikleve jo të favorshme të biznesit në ekonomin botërore si dhe krizat e vazhdueshme në eurozonë ka rezultuar me rritje të qëndrueshme ekonomike , gjë e cila është konfirmuar edhe në raportet e institucioneve financiare si Banka Botërore.

Ai theksoi se duhet pas parasysh që ekonomia jo formale llogaritet të jetë 35 për qind e  Bruto Prodhimit Vendor, ndërsa papunësia rreth 31 për qind. Rukiqi theksoi se implementimi i MSA-së besohet se do të siguroj bazën për një agjendën gjithëpërfshirëse të reformave ekonomike dhe zhvillimore në Kosovë.

Duke prezantuar të gjeturat lidhur me faktorët kryesor për të marr vendimin për të investuar në Kosovë, 61 kompani përmendin kornizën ligjore, 60 disponueshmëria i faktorit të kualifikuar njerëzor, 27 koston e ultë të punës , 25 stabiliteti ekonomik.

Ndërsa për kushtet që mund të ndikojnë në largimin e investitorëve të huaj 107 kompani konsiderojnë mungesën e marrëveshjes për eliminimin e tatimeve të dyfishta, 109 kompani problem është stabiliteti politik etj.

Hulumtimi tregon se vitet 2008, 2012 dhe 2015 janë vitet kur janë investuar më së shumti në Kosovë dhe kur ka pas numër më të madhe të kompanive të reja të themeluara.

Në pyetjen se a ka performuar investimi i juaj në Kosovë në tri vitet e fundit sipas pritjeve, 129 kompani janë përgjigjur me po, 33 vlerësojnë se kanë punuar mirë dhe 15 kompani më mirë se që kanë pritur. 75 kompani deklarojnë se kanë performuar dobët  dhe 7 kompani më dobët se që kanë pritur.

Kontaktet personale me investitorët dhe kompanitë në Kosovë ishin determinuese për të vendosur për të investuar në vendin tonë.

Do të inkurajojnë të tjerët që të investojnë në Kosovë kanë deklaruar 152 kompani, krahasuar me 98 të cilat nuk do ta kishin bërë një gjë të tillë.

Pengesat kryesore për të investuar sipas hulumtimit janë jo stabiliteti politik dhe ekonomik, kostoja e financimit nga bankat, konkurrenca jo lojale, energjia elektrike, korrupsioni, sistemi ligjor, nepotizmi, krimi dhe taksat doganore.