Azem Syla ankohet në Gjykatën Federale të Zvicrës!

Solothurhner Zeitung: Syla do të bëjë ankesë në instancën më të lartë, në Gjykatën Federale, kundër vendimit për dëbim nga Zvicra

Gazeta “Solothurner Zeitung” në një artikull të botuar të shtunën, shkon gjurmëve të lajmit të publikuar para pak ditësh rreth shfrytëzimit pa të drejtë të ndihmave sociale të Zvicrës nga deputeti kosovar, Azem Syla.

Veç tjerash, gazeta zbulon se Azem Syla ka vendosur të bëjë ankesë në Gjykatën Federale. Mbrojtësi juridik i tij i ka thënë gazetës se “disa komente në vendimin për dëbim nuk përkojnë me të vërtetën dhe mund të përgënjeshtrohen.

“Rasti Azem Syla” ka shkaktuar Indinjatë të thellë në opinion”, shkruan gazeta duke përsëritur atë që është publikuar më parë lidhur me rastin. “Lexuesit pyesin, se si mund të ndodhë një gjë e tillë. 426000 freanga për një politikan kosovar. Sa të marrë jemi ne zviceranët”, shkruan i indinjuar një lexues”.

Leja e përhershme (C) e qëndrimit të Sylës në Zvicër është ndërprerë vetëm në mars të vitit 2011, ndërsa pagesat i janë ndërprerë në shkurt të po atij viti. Njëkohësisht, atij i është kërkuar ta bëjë zhdëmtimin prej 191 mijë frangash, sepse Syla i ka tërhequr ato pa të drejtë.

Entet kompetente si arka për plotësimin e të ardhurave (EL) dhe Enti për Migracion, duke iu nënshtruar detyrimit për heshtje, nuk kanë ofruar të dhëna për rastin konkret. Por, sqaron gazeta, disa të dhëna themelore lidhur me mënyrën e punës dhe mekanizmat e kontrollimit, megjithatë janë të disponueshme. Kështu, siç shprehet Hochstraser nga arka në fjalë, për të gjitha lëndët që përmbajnë rrezikshmëri, kontrolli bëhet në bazë të mostrave.

Veç kësaj, të gjitha pagesat në mënyrë komplete kontrollohen së paku një herë në katër vjet. Për besueshmërinë e të dhënave shfrytëzohet koordinimi në mes të autoriteteve dhe bartësve të sigurimit. Por, përse përkundër kësaj, rasti i Azem Sylës nuk ka rënë në sy, mbetet të mësohet. Sidoqoftë, përgjegjësit thonë se nga ky rast “do të marrin mësim. Konstatimet e bëra nga të gjitha procedurat e realizuara do të na shërbejnë për përmirësimin e proceseve dhe për marrjen e masave”, thotë Hochstrasser.

Ndërsa udhëheqësi i Zyrës për Migracion, Peter Hayoz ka vërtetuar se kjo zyrë i ka dhënë Sylës vizën C në vitin 1999, për shkakun se refugjatët me status të pranuar (sikur Syla) kanë të drejtë ta marrin atë pas 5 vitesh qëndrimi në Zvicër. Por, shton gazeta, gjykata administrative ngul këmbë se atij nuk i duhej dhënë kjo vizë. Kjo, për faktin se Syla nuk ka qëndruar në Zvicër gjatë tërë kohës. Dihet se çdo mungesë mbi gjashtë muaj në Zvicër e bartësit të kësaj leje (viza C), e raportuar para organeve përgjegjëse, nënkupton tërheqjen e lejes në fjalë.

Por, siç thotë Hayoz, edhe kjo kontrollohet vetëm përmes mostrave. Po ashtu, shton Hayoz, zyra orientohet edhe në bazë të njoftimeve nga komuna dhe nga popullata. Në rastin Syla, ka qenë shkrimi i gazetës “SonntagsZeitung” që ka nxitur veprimin e organeve. Kjo gazetë kishte shkruar se Syla, përkundër aktiviteteve politike në Kosovë vazhdon ta mbajë vizën C të Zvicrës.

Në fund të artikullit, gazeta “Solothurner Zeitung” shkruan: “sqarimet e bëra, zor se do të ndihmojnë për të ulur mllefin mbi rastin Azem Syla. Kjo sidomos për faktin se Syla do të bëjë ankesë në instancën më të lartë, në Gjykatën Federale, kundër vendimit për dëbim nga Zvicra”.