Pedagogët socialë të Argaut befasohen për të mirë me Kosovën
Ata kanë vizituar institucione arsimore, Qendrën korrektuese në Lipjan, pikat turistike të Kosovës etj.
Ditë më parë një grup mësuesish dhe pedagogësh socialë vizituan Kosovën. Qëllimi i vizitës ishte njohja me sfondin pedagogjik dhe kulturor si dhe me aspekte të tjera të vendit për një mirëkuptim më të mirë në marrëdhëniet me njerëzit nga Kosova. Rëndësi e veçantë iu kushtua edhe përballjes me pasojat e luftës së fundit në Kosovë.
Ambasadorja Krystyne Marty Lang në Kosovë priti pedagoget sociale nga Zvicra
Kur një vit më parë Judith Bolliger dhe Bea Fankhauser, njëra punëtore sociale në një shkollë të Kantonit Argau dhe tjetra në Administratën federale të Zvicrës, vizituan Kosovën, pakkush do të mendonte se kjo vizitë do të jetë një nismë për shumë pedagogë socialë për ta vizituar Kosovën me qëllim të heqjes së paragjykimeve për shqiptarët e Kosovës. Kështu, prillin e sivjetshëm 18 mësues dhe pedagogë socialë, të ndarë në dy grupe, me nga një javë qëndrim, shëtitën Kosovën trup e tërthorë për t’u njohur më për së afërmi me njerëzit dhe vendin.
Avni Rifati duke referuar para mysafireve për angazhimin e tij pas kthimit vullnetar nga Zvicra në Kosovë
Që të dy grupet u pritën nga Ambasada e Zvicrës në Prishtinë, me ç’rast zëvendësambasadori Christian Winter i njoftoi me veprimtarinë e Ambasadës zvicerane në Kosovë për të dhënë më pas një pasqyrë më të detajuar për situatën politike, ekonomike, sociale dhe kulturore në Kosovë.
Një program i ngjeshur synonte një laryshi vizitash vendeve urbane dhe rurale përfshirë këtu edhe institucione universitare, shkollore e parashkollore, Qendrën korrektuese në Lipjan, shpellën e mermertë në Gadime, shkollën për fëmijë me nevoja të veçanta në Prishtinë, Memorialin “Adem Jashari” në Prekaz, institucione fetare të të tri religjioneve në Kosovë, muze të ndryshëm historikë, kulturorë e etnologjikë si dhe kështjella dhe kulla gjithandej nëpër Kosovë.
“Ka disa vite që në klasën time u jap mësim edhe fëmijëve shqiptarë. Qysh moti kisha dëshirë ta vizitoj vendin e tyre, prej nga ata vijnë…”, thotë mësuesja Scharlotte.
“Ata që stigmatizojnë shqiptarët, i këshilloj të vizitojnë Kosovën”
Në pyetjen se çfarë do t’u preferonte të tjerëve për të vizituar Kosovën, Caterina Frisch, pa u hamendur fare, thotë: “Secilit do t’i preferoja që të njihet me historinë, kulturën dhe traditat e shqiptarëve të Kosovës (natyrisht edhe të popujve të tjerë që janë tronditur nga pasojat e luftës në të kaluarën) për të mënjanuar stigamtizimin (damkosjen).
Para së gjithash do t’i preferoja të gjithë ata persona që në punën dhe në jetën e përditshme në Zvicër, në ndonjë mënyrë kanë punë me shqiptarë, që të kenë mirëkuptim, empati (përafrim shpirtëror) si dhe për t’i shembur barrierat dhe paragjykimet ndaj shqiptarëve të Kosovës. Sidomos do t’ju preferoja Kosovën të gjithë atyre që i shajnë kosovarët si kriminelë ‘kosovoalbaner’. Të tillët është më mirë të vijnë këtu dhe të shohin mikpritjen dhe vullnetin e shqiptarëve për të ndërtuar shtetin…“.
Drejtori i QK në Lipjan (i 5-ti nga e djathta) me mysafiret nga Zvicra
Jo fort larg Ambasadës Zvicerane, dy vëllezërit Avni e Fatos Rifati ish refugjatë të kthyer vullnetarisht nga Zvicra në vitin 2000, tashmë qëndronin fort ekonomikisht në këmbët e veta. Me dijen që kishin fituar në Zvicër, në lëmin e dizajnit grafik, ata tashmë kishin bërë emër në këtë fushë. Mysafirët zviceranë u befasuan pozitivisht me të arriturat profesionale të tyre, prej nga doli edhe konkludimi se sa e rëndësishme është që të rinjve shqiptarë në Zvicër t’u jepen shanset për shkollim.
Me rastin e vizitës së Qendrës korrektuese në Lipjan mysafirët u pritën nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm Sokol Zogaj dhe nga drejtori i qendrës Muhamet Bytyçi. Gjatë një bisede në sallën e konferencave, Bytyçi sqaroi aspektin korrektues-edukativ të kësaj qendre për t’i shoqëruar pastaj edhe nëpër të gjitha repartet që i posedon kjo qendër. “ Informacionet rreth aktivitetit të kësaj qendre më bënë shumë përshtypje. Mendoj se njerëzit këtu po përpiqen që qendrën ta drejtojnë në atë mënyrë që të jenë në shërbim të atyre që janë brenda. Është hera e parë që m’u dha mundësia ta vizitoj një qendër korrektuese nga brenda”, u shpreh mësuesja Marlen.
26 piktura për 26 kantonet zvicerane
Vizitorët nga Zvicra përballeshin edhe me shumë të papritura. Ta zëmë, në Junik derisa po shkonim drejt kullës e cila po restaurohej për t’u bërë qendër e turizmit rajonal, mysafirët i përshëndeti një junikas me “Guten Tag” (mirëdita) dhe njëkohësisht i pyeti nëse ishin zvicerane. Në pohimin e mysafireve, atij iu mbushën sytë me lotë, duke i falënderuar zviceranët për ndihmën që i kishin dhënë atij dhe popullit të Kosovës gjatë luftës së fundit. Ky ishte arsimtari Hasan Fetaj, aktualisht pa vend pune. “Do të vini gjithsesi në shtëpinë time për një kafe, ju lutem”, iu drejtua z. Fetaj zviceraneve.
Nga vizita në Muzeun Etnologjik në Gjakovë
Dhe aty vërtetë kishte çka të shihej! Në shtëpinë e tij ishin të paluara me dhjetëra piktura, kryesisht me temë „Kullat e Junikut“, por piktori junikas kishte ndërmarrë edhe një nismë mjaft interesante. Ai kishte punuar 26 piktura për t’ua dhuruar 26 kantoneve zvicerane në shenjë falënderimi për strehimin e kosovarëve dhe ndihmën e vazhdueshme që i ka bërë Zvicra Kosovës. Po ashtu kishte përgatitur edhe një pikturë për kryetari-en e Konfederatës Zvicerane. Të ngazëllyer, të dy palët u ndanë me një dëshirë që të shihen në një ekspozitë pikturash të z. Fetaj në Zvicër.
Ujëvara e Mirushës dhe vende të tjera turistike – nxitje për turizëm në Kosovë
Mysafirët u kthyen në Zvicër me premtimin që secili prej tyre do ta influencojë së paku edhe nga një mësues që të vijnë për ta vizituar Kosovën nga afër.
E-Diaspora
-
Traditë shqiptare e Krishtlindjes që ndriçon një lagje zvicerane Prej më shumë se dhjetë vitesh, familja Markaj në Obersiggenthal e shndërron oborrin e saj në... -
Themelohen “Oda e Grave Shqiptare në Zvicër”, organizatë për fuqizimin e grave -
Arrestohet një kosovar në Suedi, i dyshuar për përfshirje në trafikim droge -
Fehmi Mahalla: Nga Ferizaj në Lozanë, kampion dhe trajner i kampionëve -
3eni.com, aty ku Arben “Beni” Myftari bashkon artin, teknologjinë dhe shpirtin
Jeta në Zvicër
-
“Fjalët më të përdorura të vitit” në Zvicër Çdo dhjetor, studiuesit në Shkollën e Gjuhësisë së Aplikuar të Universitetit të Shkencave të Aplikuara të... -
Dalja e parakohshme në pension mund të mos lejohet më në Zvicër -
Zvicra përballë një periudhe sfiduese politike dhe ekonomike -
Gjykata zvicerane sfidon gjigantin Holcim me padi klimatike -
Roche paralajmëron rritje të çmimeve të ilaçeve në Zvicër









