Të moshuarit në hall !

Gjithnjë e më shumë është e theksuar dilema e të moshuarve në diasporë se ku do ta kalojnë pleqërinë pas pensionimit

Pensionisti Shaban Krasniqi prej vitesh jeton në Zvicër. Megjithëse ka kaluar të shtatëdhjetat, ai ka vendosur edhe pleqërinë ta përjetojë në kurbet.

Kthimin në vendlindje pas pensionimit e kishte sakrifikuar për shkak të djemve që jetojnë të gjithë në Zvicër.Por, edhe thotë të mos jetë bërë pishman, ngase standardin e tillë ende nuk mund ta imagjinojë në Kosovë. Plaku me prejardhje nga Gjilani asnjëherë nuk ka menduar për ta kaluar pleqërinë në shtëpinë e pleqve.

„Për shqiptarët ende është herët të zateten në shtëpi të pleqve, por po vjen edhe ajo kohë, mos bani dert“, tha Shabani.

Shumica e mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër mezi presin pensionimin e tyre për t’u kthyer nga kishin ardhur.

Disa prej tyre po e kalojnë pleqërinë me “zor” në mërgim, për faktin se nuk e kanë askënd në Kosovë për të siguruar përkujdesjen e nevojshme.

Çuditërisht në asnjë variant nuk vjen në konsiderim shtëpia e pleqve për shqiptarët në Zvicër, e aq më pak në Kosovë. Të paktën albinfo.ch në asnjë vend të Zvicrës nuk ka hasur në ndonjë mërgimtar shqiptar, i cili ka vendosur ta kalojë pleqërinë në ndonjë shtëpi pleqsh, ku ofrohen kushte të cilësisë së lartë jetësore.  Ndryshe e sqarojnë këtë fenomen ekspertët që punojnë me këtë kategori njerëzish në Zvicër.

Ilir Bytyçi, i cili prej vitesh ofron përkujdesje shëndetësore për pleqtë në institucionin Mediko-Social ,,Parc de Valency“ në Llozanë, tha për albinfo.ch se edhe shqiptarët do të ndjekin rrugën e komuniteteve të tjera në Zvicër. Sipas tij, është vetëm çështje kohe.

  „Pavarësisht nga bindjet tona kulturore dhe vizioni negativ që kemi për t’u vendosur në një institucion mediko-social, i njëjti rrugëtim do të na ndjekë sikur ai i komuniteteve të tjera, në veçanti ai italian, si komunitet më i hershem në Zvicër“, tha Bytyqi.„Pikëpamjet tona do të ndryshojnë në të mirë, kuptohet atëherë kur të gjitha mundësitë e qëndrimit në shtëpi janë shuar, kur qëndrimi për shkak të shëndetit apo invaliditetit nuk është i mundur dhe nuk garanton jetë të sigurt gjatë kujdesit shtëpiak“, tha shefi i personelit mjekësor në ,,Parc de Valency“ në Llozanë.Ai këshillon të moshuarit shqiptarë të mendojnë edhe për institucionet mediko-sociale.„Aty bëhet një jetë shumë e mirë dhe institucionet në Zvicër i plotësojnë të gjitha nevojat për këtë kategori të njerëzve. Kjo është vërtetuar se personat e moshuar në institucione jetojnë më gjatë sesa ata në shtëpi, për shkak të kujdesit, parandalimit të sëmundjeve, kontrollimit shëndetësor, të ushqyerit e ekuilibruar, aktiviteteve fizike e sociale (ushtrimet e memories, socializmi etj.), me një fjalë, kualitet më të mirë të jetës“, tregon Bytyqi për kushtet që ofrohen në institucionet mediko-sociale në Zvicër. Por kthimi nuk është edhe aq i lehtë në pleqëri nëse pjesa tjetër e familjes mbetet në Zvicër. „Do të jetë e vështirë nëse anëtarët e tjerë mbeten në mërgatë, fëmijët e tyre, nipat e mbesat. Do të jetë më theksuar nostalgjia për përjetimet në mërgim. Por, kur kemi parasysh mundësitë e sotme të udhëtimit, ekziston mundësia sa herë që donë  të vizitojnë pjesën tjetër të familjes në mërgim, dhe kjo lehtëson riadaptimin e tyre në atdhe“, thekson Bytyqi.Të gjithë ata që nuk kanë së paku njërin nga fëmijët në atdhe, sipas ekspertëve mediko-social është shumë i vështirë riadaptimi në vendlindje.„Rreziku nga izolimi dhe nga malli për familjen në mërgatë, mungesa e ngrohtësisë, afërsisë me fëmijët, rejat, nipat e mbesat në mërgim, mund të jenë faktorë të çrregullimeve te mëdha fizike dhe psikike“, këshillon Bytyqi.Për infermierin shqiptar në Zvicër, Ilir Bytyqi, edhe në Kosovë tashmë është e theksuar nevoja për institucione të tilla, ku do të duhet të gjejnë përkujdesje të duhur njerëzit në moshë të shtyrë.Këtë pohim e konfirmon edhe rezultati i sondazhit të realizuar nga albinfo.ch.

55 për qind e lexuesve janë përgjigjur se do të donin ta kalojnë pleqërinë në një shtëpi të pleqve me standarde zvicerane në Kosovë.

Por, ka të tillë që janë përgjigjur se nuk dëshirojnë fare të dëgjojnë për shtëpi të tilla pleqsh në vendlindje.

36 për qind kanë thënë se nuk do të donin ta kalonin pleqërinë në shtëpi të pleqve.

„Shpresojmë të jenë me standarde të ngjashme me këto në Zvicër. Jam i bindur se edhe personat e moshuar që jetojnë në Kosovë do të ishin dakord për të jetuar në institucione mediko-sociale,vetëm pas përjetimit të përkohshëm të jetës në këto institucione“, shprehet i bindur Ilir Bytyqi. Gjatë këtij bashkëbisedimi, Ilir Bytyqi, i cili në të njëjtën kohë është edhe mësimdhënës për personelin e qendrave mediko-sociale në Llozanë, ka shprehur gatishmërinë të kontribuojë në shkëmbimin e përvojës së tij 15-vjeçare në institucionet e tilla në Kosovë. Shtëpi për pleq me standarde evropiane në Suharekë Ndërkohë projektet në këtë drejtim tashmë nuk mungojnë dhe janë në fazën zhvillimit të tyre në Kosovë.

Një projekt i tillë publiko-privat është paralajmëruar të konkretizohet në komunën e Suharekës.

Një ide e tillë erdhi nga njerëzit në diasporë konkretisht nga projekt “Diaspora për Zhvillim”, i cili po ndihmon në realizimin e tij duke parë mungesën e një shtëpie të destinuar për të moshuarit në këtë komunë.

Udhëheqësi i projektit, Elbasan Morina, tha se synojnë që kjo shtëpi e pleqve të jetë nën pronësi të ndonjë investuesi nga diaspora.

“Jemi në proces të sigurimit të stafit të kualifikuar apo menangjmentit me përvojë nga diaspora për ta transferuar në këtë shtëpi pleqsh“, tha Elbasan Morina.

Komuna e Suharekës ka premtuar një fond rreth 500 mijë eurosh.

Një shtëpi e tillë është destinuar për të gjithë pleqtë pa përkujdesje familjare, por edhe për të moshuarit në diasporë.

“Ideja është që të moshuarit e kësaj komune të kenë një shtëpi rekreacioni dhe banimi me standarde evropiane. Për këtë qëllim jemi në kontakt me një grup mërgimtarësh nga Suhareka që jetojnë në Zvicër për të investuar kapitalin dhe njohuritë e tyre në bazë të përvojës së fituar në diasporë”, tha udhëheqësi i projektit “Diaspora për zhvillim”, Elbasan Morina. Bazuar në të dhënat e Zyrës Federale të Statistikave (OFS), në Zvicër ekzistojnë rreth 1600 institucione mediko-sociale, vetëm ne kantonin VD (Vaud) rreth 160 institucione për të moshuar, gjithsej me rreth 6000 shtretër.

85 për qind janë të banuar me plaka, ndërsa vetëm 15 për qind me pleq. Mosha mesatare e tyre është për plakat 85,1 vjeç, ndërsa për meshkujt 81 vjeç.