Kultura
“Dardania” nga Zvicra, e para në festivalin “Hasi Jehon”
SHKA “Dardania” nga Winterthuri kthehet nga Kosova, me një sërë çmimesh, mirënjohjesh dhe falënderimesh
Ditë më parë SHKA “Dardania” nga Winterthuri i Zvicrës, pas një aksioni të madh humanitar, i ndërtoi një shtëpi me të gjitha pajisjet e nevojshme, familjes së Shaban Spahiut në Shipashnicë të Poshtme të Kamenicës duke e gëzuar kështu këtë familje skamnore.
Me këtë rast ajo organizoi një solemnitet me një program të pasur kulturor p ara shtëpisë së ndërtuar, ku morën pjesë mbi 80 anëtarët e saj, me çka ju dorëzuan çelësat familjes fatlume.
Dardania, gjatë qëndrimit në Kosovë ka marrë pjesë në dy festivale. Në festivalin “Lulëkuqet e Prillit” që u mbajt në Dardanë (Kamenicë) në mbrëmjen e rapsodëve, krahas shumë grupeve dhe rapsodëve nga mbarë Kosova, juria nën kryesimin e Sami Pirajt, SHKA-së ” Dardania” i ndau dy çmime dhe disa mirënjohje.
Për tekstin dhe këngën më të dalluar, çmimin e mori në emër të shoqërisë këngëtari Ruzhdi Hajrizi i cili edhe e interpretoi së bashku me Nezir Hysenin. Për gardërobën më unikate dhe më të kompletuar, në emër të shoqërisë çmimin e mori Hysen Abazi, kurse secili anëtar pjesëmarrës mori nga një mirënjohje nga organizatori i këtij festivali, gjegjësisht Komuna e Kamenicës.
Më pas shoqëria ishte e ftuar edhe në festivalin tashmë tradicional dhe shumë mirë të organizuar “Hasi Jehon” 2012, i cili u mbajt nga 2 maji deri më 4 maj në Gjonaj të Hasit, komuna e Prizrenit.
Festivali ishte nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, dhe Komunës së Prizrenit. Kryetari i Prizrenit përshëndeti të pranishmit, dhe i uroi mirëseardhje edhe diasporës, gjegjësisht “Dardanisë” së Zvicrës e cila ishte e para që po merrte pjesë në këtë festival.
Në natën e parë, shoqëria „Dardania“ ishte vetëm shikuese. Asaj, iu organizua një mikpritje e përzemërt nga SHKA “Malësori” nga Gjonaj, që është edhe organizatore e këtij festivali.
Në natën finale SHKA „Dardania“ bëri paraqitjen e vet me ç`rast tregoi punën e saj duke u prezantuar me rituale, lojëra popullore, mjeshtri, bylmet, odën tradicionale, magjen-gatimin e “hashureve”, bariun dhe delet e tij, kryeplakun, rugavasin si roje me pushkë dhe kobure në brez, kaçakun e malit dhe dy roje të kohës së vjetër me mburojën dhe logon e shoqërisë dhe flamurin kombëtar.
E gjithë kjo u përcoll me vegla burimore dhe baritore, duke filluar që nga surla me tupana, mandej kavallat me mjeshtrat Hamit Shillova dhe Heset Matoshi, më tutje me orkestrimin e çiftelisë, dhe duke kaluar kështu edhe te gajdja.
Më pas u këndua kënga e diasporës që zgjoi interesim të veçantë te publiku, pastaj u paraqit grupi i vajzave me defe, dhe për të përfunduar me dy valle origjinale nën koreografinë e Albulena dhe Shefqet Cakollit të cilët janë kujdesur për paraqitjen sa më të mirë të kësaj shoqërie. E gjithë paraqitja e “Dardanisë” u ndoq me duartrokitje dhe ovacione të publikut.
Juria nën drejtimin e Rexhep Munishit kryetar, nuk e pati lehtë të bëjë përzgjedhjen në mesin e 20 pjesëmarrësve në këtë konkurrim. Anëtari i jurisë Sami Piraj kumtoi çmimet, në mesin e të cilave edhe ato të SHKA “Dardania“ nga Zvicra.
Çmimi i parë “Malësori” i takoi SHKA” Dardania” nga Winterthuri i Zvicrës, çmimi i dytë “Malësorja” iu nda SHKA “Jehona e Malësisë së Sharrit” nga Tetova dhe çmimi i tretë “Lahutari” i takoi Ansamblit “Rugova” nga Peja.
Për kostumet dhe gardërobën më të dalluar në këtë festival juria i ndau çmimin SHKA “Dardania” nga Zvicra, duke e marrë për bazë koloritin dhe unifikimin e valleve dhe orkestrës.
Në fund të këtij festivali të gjitha grupet dhe shoqëritë festuan së bashku. Festa vazhdoi edhe në autobus dhe gjatë orëve të natën me një entuziazëm dhe motiv të shtuar te anëtarët, sepse po ktheheshin të shpërblyer për punën dhe vullnetin që kishin treguar.
E-Diaspora
-
Gjuha shqipe forcon integrimin Në kontekstin e diasporës shqiptare në Zvicër dhe më gjerë, gjuha shqipe ka një rëndësi në...
-
Flisni shqip në Zvicër!
-
RTS: “Toka Brenda Meje” e Fisnik Maxville-it trajton traumën e Kosovës
-
Filmi “The Land within”, lufta në Kosovë, e vështruar nga një kënd tjetër
-
Robin Krasniqi fiton me pikë ndaj portugezit Jorge Silva
Jeta në Zvicër
-
Neuchâtel: Një algjerian 29-vjeçar u gjet pa shenja jete, në qeli La Chaux-de-Fonds, Neuchâtel: Trupi i tij i pajetë u gjet nga rojat e burgut rreth orës...
-
Kantonet zvicerane me plane për të punësuar më shumë mësues të huaj
-
Bernë: Merret vendimi për gruan e cila vrau kryetarin e bashkisë së Lauterbrunnen pasi e goditi 58 herë me thikë
-
Pse Zvicra subvencionon tarifat vetëm për disa studentë të huaj?
-
Prodhuesi zviceran i thikave të ushtrisë në përpjekje për të përmbushur kufizimet globale të tehut