Sport

Cana:Të respektohet “pesëshja” shqiptare e Zvicrës

Kapiteni i përfaqësueses së Shqipërisë, Lorik Cana tha se skuadra shqiptare duhet ta trajtojë Zvicrën si çdo ekip tjetër kundërshtar, ani pse në radhët e tyre helvetikët do t’i kenë pesë lojtarë shqiptarë.

“Mua më intereson pak, ose aspak, ajo çka ndodh te Zvicra. Edhe pse aty ka lojtarë nga Kosova, kur t’i kemi përballë do t’i trajtojmë si kundërshtarë dhe kaq”, ka deklaruar mesfushori i Lazios.

Siç dihet, “pesëshja” shqiptare e Zvicrës qysh tash ka rënë në siklet se si të sillen kur para fillimit të përballjes do të lëshohen himnet kombëtare të të dyja vendeve. Madje, Xhaka ka thënë se nuk do ta këndojë asnjërin himn.

Cana është shprehur sikurse i vjen keq për pozitën në të cilën gjendet pesë bashkëkombësit e tij te Zvicra. Kosovari ka thënë se që të pestët ata duhet të respektohen nga opinioni shqiptar, sepse në fund të fundit edhe ata janë shqiptarë.

“Nuk di se çfarë të them, gjithsesi duhet të kuptojmë se edhe pse luajnë për një komb tjetër, ata në fund të fundit janë shqiptarë, sikurse ne, andaj duhet kuptuar edhe ky aspekt i rëndësishëm”, ka theksuar ai.

Këto komente Cana i ka bërë për mediat shqiptare, pas miqësores Shqipëri – Moldavi (0:0).

Ky ishte testi i fundit për ekipin para fillimit të eliminatoreve për ‘Brazilin 2014’.

Siç dihet, Shqipëria, kualifikimin në “Brazili 2014” do ta kërkojë në Grupin E, përballë Norvegjisë, Sllovenisë, Zvicrës, Qipros dhe Islandës.

Shqipëria do të jetë  mysafire e Zvicrës, duel ky që ka ngjallur interesimin e opinionit shqiptar e atij zviceran dhe më gjerë, pikërisht për faktin se për helvetikët do të luajnë pesë shqiptarë për herë të parë ndaj Shqipërisë.