Sport

Kërcënohet me vdekje tenisti numër 1 në botë

Në internet është publikuar një foto e montuar që tregon Roger Federerin pa kokë dhe në gjunjë në një fushë tenisi

Para se të fillon turneu Masters në tenis ATP në Shangai të Kinës, një bloger i panjohur, duke përdorur emrin “Blue Cat Polytheistic Religion Founder 07” ka kërcënuar në internet se tenisti numër 1 në botë, Roger Federer do të vritet më 6 tetor. Me këtë ai ka thënë se ka për qëllim asgjësimin e tenisit.Gjithashtu është postuar një foto e montuar që tregon Federerin pa kokë dhe në gjunjë në një fushë tenisi, derisa një ekzekutor me sëpatë i qëndron pranë.

Organizatorët e turneut në Shangai, ndërkohë, kanë konfirmuar kërcënimin me vdekje kundër zviceranit.Ata thonë se janë duke e marrë “seriozisht” kërcënimin e çuditshëm me vdekje në internet. 

Organizatorët kanë thënë për agjencinë AFP se kanë marrë të gjitha masat për të siguruar pjesëmarrësit e turneut në Shangai.

Mediat shtetërore të Kinës raportojnë se siguria për turneun e tenisit Shanghai Masters është forcuar pas një kërcënimi me vdekje në internet, që është bërë kundër lojtarit numër një në botë, Roger Federer.

Postimi origjinal nuk është më në dispozicion në internet, por tani qarkullojnë imazhe të ndryshme me foto të montuara. Nëse kjo është vetëm një shaka apo është një kërcënim serioz me vdekje ende mbetet e pa qartë.