Kosova

Në Kosovë më lehtë është të fitohet llotari se sa të merret një vizë gjermane

Të punosh në Gjermani: Për shumë persona nga vendet e varfëra të Ballkanit, tingëllon si ëndërr. Por për përpunimin e vizave për punë, ambasadave gjermane iu duhet shumë kohë. Nga ana tjetër, jo të gjithë punëdhënësit mund të presin.

Qytetarët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, duke i falënderuar të të ashtuquajturit Rregullore e Ballkanit Perëndimor, të aprovuar në nëntor të vitit 2015, mund të vijnë në Gjermani për të punuar këtu. Parakusht i vetëm: Aplikantët duhet të kenë një ofertë detyruese për punë dhe të tillët nuk janë pak.

Në nëntë muajt e parë të vitit të kaluar, ambasadat gjermane në këto rajone kanë lëshuar 19.294 viza. Më së shumti viza janë lëshuar në vitin 2017, me 4.702 gjegjësisht 4.758 viza në përfaqësitë e Republikës Federale të Gjermanisë në Sarajevë (Bosnjë-Hercegovinë) dhe Prishtinë (Kosovë), pasuar nga Shkupi (Maqedoni) me 3.675 dhe Beogradi (Serbi) me 3.613 Visa. Gjatë së njëjtës periudhë, ambasada në kryeqytetin shqiptar Tiranë ka lëshuar 2.796 viza.

Por, para dyerve të ambasadës ende janë duke pritur shumë kërkues. Për DW, Zyra e Jashtme Federale gjermane konfirmon “Një rritje të madhe të kërkesave për viza nga vendet e Ballkanit Perëndimor me qëllim të fillimit të punës në Gjermani”, njofton Albinfo.ch. Dhe: “Numri i aplikacioneve vazhdon të rritet”.

Më shumë se një vit duke pritur në Kosovë

Prandaj, koha e përpunimit është veçanërisht e gjatë midis kërkesës për termin dhe datës së aplikimit, thotë Carola Burkert, eksperte për migracionin në Institutin për Hulumtime Profesionale (IAB). Lista e shteteve me periudhat më të gjata të pritjes, në shkurt ka rezultuar në pritje të më shumë se një viti për Kosovën, Bosnjën, Serbinë shtatë muaj, Shqipërinë gjashtë muaj.

Përveç kësaj, këtu bën pjesë edhe përpunimi i vizës personale. “Paramendoni, keni një ofertë”, thotë Burkert. “Kjo do të thotë që punëdhënësi tani ka nevojë për ju – dhe nëse punonjësi i ardhshëm nuk vjen sepse nuk ka vizë, atëherë mua më duhet t`i ndihmoj në rolin e punëdhënsit”.

Mu kjo i ka ndodhur Bekim Imerit. Shoferi i kamionit nga Gostivari në Maqedoni, mori një kontratë pune nga një kompani në Paderborn. Por pasi ai ende nuk kishte marrë vizë pune pas disa muajsh, punëdhënësi u tërhoq. “Askush nuk ju pret aq gjatë në Gjermani”, thotë Bekimi.

Pra, 46-vjeçari filloi të kërkonte punë përsëri në Gjermani – dhe të njëjtën e gjeti në kompaninë Eraslan GmbH në Shtutgart. Kontratën e punës dhe një aplikim të ri për vizë në Ambasadën Gjermane në Shkup, ai e solli personalisht, ku u pranua pas më shumë se shtatë orësh pritje. Që atëherë, Bekimi është i shqetësuar për çdo ditë se nuk do ta humb rastin e tij të dytë për një punë në Gjermani.

Në fakt, në studimin e tij të fundit, Instituti për Hulumtime të Punës dhe Profesionalizmit, IAB, paraqet “Rregulloren e Ballkanit Perëndimor: Puna në Vend të Azilit?” ka konstatuar se ka një mospërputhje të madhe midis numrit të vizave të lëshuara dhe numrit të aprovimeve nga agjencia e punësimit, e cila është gjithashtu e nevojshme për lëshimin e vizës për të marrë punë. Numri i tyre nga nëntori i vitit 2015 e deri në shtator 2017 është rritur në 128.000, por e vizave të lëshuara arriti vetëm në 38.000.

Përse duhet shumë kohë për të marrë një vizë pune?

“Periudhat e pritjes për aplikimet për vizë varen gjithmonë nga kërkesa dhe kapacitetet aktualisht në dispozicion në pikat përkatëse të vizave”, shpjegon Zyra e Jashtme për Dë, njofton Albinfo.ch. Misionet diplomatike gjermane në vendet e Ballkanit Perëndimor ishin “forcuar maksimalisht”, “kapacitetet hapësinore në ambasada u shterrën”.

Ambasada gjermane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, ka përpunuar gjithsej 50.000 aplikacione për viza në vitin 2017 – nga qëndrime të shkurtëra të turistëve, deri te njerëzit e biznesit në qëndrime afatgjata për studim, bashkim familjar apo punësim. Megjithatë, edhe pse kapaciteti i përpunimit për aplikimet për vizë është rritur ndjeshëm dhe do të rritet edhe më tej gjatë këtij viti, kërkesat vazhdojnë ta tejkalojnë kapacitetin, “për këtë arsye koha e pritjes për fat të keq është e pashmangshme”. E njëjta vlen edhe për ambasadën në qytetin serb të Beogradit.

Nuk është çudi që pakënaqësia e aplikantëve po rritet. “Në Kosovë, është më lehtë të fitohet llotari se sa për të marrë një vizë gjermane. Ekzistojnë procedura rraskapitëse”,  thotë Zgjim Berisha nga Prishtina, në një intervistë me DW, përcjell Albinfo.ch. Ai është në vitin e fundit të trajnimit specialist për kirurgji në Spitalin Universitar të kryeqytetit të Kosovës: “Unë i njoh disa mjekë të trajnuar mirë dhe infermierë me njohuri të gjuhës gjermane, që do të donin të punonin në Gjermani, por e vetmja pengesë është viza”.

“Në Serbi, koha e pritjes për një takim në ambasadën gjermane, në qershor të këtij viti ishte katër deri në pesë muaj”, thotë Dejan M. nga Serbia, “sot janë shtatë”. Dejan mori një ofertë pune nga një kompani IT në Berlin në muajin shkurt dhe që atëherë ka pritur një takim.

Gjithashtu Kleis Hazizi nga Shqipëria, i cili ka një kontratë të përhershme, si një speditor në një kompani në Thuringian Langenwetzendorf, ka pritur pesë muaj në seksionin e vizave. Dokumentet e nevojshme ai i ka dorëzuar tashmë kohë të gjatë.

Carola Burkert e sheh procedurën e vizave si një instrument për menaxhimin e migracionit përmes politikës së vizave. “Është thënë, ne kemi migracionin ekonomik nga vendet e Ballkanit Perëndimor, kështu që ne ndërtojmë rrugët ligjore nën kushte të caktuara – por byrokracia dhe strukturat nuk ishin aq të shpejta dhe nuk u zgjeruan e rindërtuan në mënyrë efektive. Kjo është një dilemë, e cila sjellë frustrime në të dy palët”.

Kjo nuk vlen vetëm për punëtorët potencialë nga Ballkani Perëndimor. Edhe punëdhënësit e tyre gjermanë janë duke pritur që dikush të marrë dokumentet e aplikuesve të tyre nga grumbujt e mëdhenj nëpër ambasadat gjermane.