E-Diaspora

Zvicra “importon” vetëm një pikë nga Qiproja

Nga fillimi i ndeshjes kanë luajtur Shaqiri e Behrami. Shaqiri ka qenë në fushë gjatë gjithë lojës ndërsa Behrami është ndërruar në minutën e 76. Shqiptari i tretë në ndeshje ka qenë Granit Xhaka,nga minuta e 46

Zvicra që konsiderohej favorite, kthehet nga Qiproja me vetëm një pikë të fituar dhe pa asnjë gol të shënuar. Në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Botëror, përfaqësuesja zvicerane e futbollit, që i prin tabelës nuk ia ka dalë të shënojë fitore ndaj Qipros, e cila është e parafundit në tabelë. Rezultatin “e bardhë” 0 – 0 nuk mundën ta ndryshojnë as epërsia në lojë e zviceranëve dhe as disa shanse të kombëtares së Zvicrës, në mes të cilave edhe dy të dështuara të Shaqirit.

Nga fillimi i ndeshjes kanë luajtur Shaqiri e Behrami. Por Behrami është ndërruar në minutën e 76 ndërsa Shaqiri ka qenë në fushë gjatë gjithë lojës. Shqiptari i tretë i angazhuar në ndeshje ka qenë Granit Xhaka, por në pjesën e dytë, respektivisht në minutën e 46, kur ka zëvendësuar Emeghara-n.

Zviceranët kanë luajtur pa instruksionet e trajnerit të tyre Hitzfeld, i cili ka qenë i pezulluar dhe nuk i është lejuar të asistojë.

Sfondi i krizës së thellë financiare që po kalon Qiproja ka qenë i pranishëm edhe në stadium. Nga 22 mijë vende që i ofron, stadiumi në Nikozia i ka pasur vetëm rreth 3000 ulëse të zëna.

Zvicra me 11 pikë vazhdon të udhëheqë në tabelën e grupit të saj kualifikues por rezultati baraz në ndeshjen me Qipron e ka luhatur paksa pozitën dominuese të zviceranëve.