Botërori 2026
Granit Xhaka, lideri i kompletuar që frymëzon Zvicrën
Eksperti i lidershipit në sport, Ruedi Zahner, e vlerëson kapitenin shqiptar të Zvicrës si një figurë të jashtëzakonshme me karakter, guxim dhe ndikim të madh në ekip
“Ar apo jo, Granit Xhaka është një thesar për Zvicrën”. Me këto fjalë, eksperti i lidershipit në sport, Ruedi Zahner, ka përshkruar kapitenin e kombëtares zvicerane, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të rëndësishme të futbollit në vend, transmeton albinfo.ch.
Zahner, i cili ka mbi 30 vjet përvojë në sportin elitar, në analizën e tij e paraqet Xhakën si një lider të kompletuar – një futbollist që nuk udhëheq vetëm me paraqitjet në fushë, por edhe me karakterin, komunikimin dhe përgjegjësinë që merr mbi vete.
Sipas tij, Xhaka është një lider që ka guximin të jetë vetvetja dhe të mbrojë bindjet e tij.
“Ai flet hapur, nuk i fsheh emocionet, kërkon respekt dhe, kur e sheh të nevojshme, nuk ngurron të provokojë për ta zgjuar ekipin. Është i drejtpërdrejtë, i sinqertë dhe njerëzor”, shkruan Zahner.
Kapiteni i Zvicrës shpesh ka qenë i njohur për deklaratat e tij të drejtpërdrejta, sidomos kur kërkohet më shumë disiplinë dhe angazhim nga skuadra. Zahner kujton një moment kur Xhaka publikisht kishte kërkuar reagim nga bashkëlojtarët.
“Kështu nuk shkon. Na mungon disiplina dhe, nëse vazhdojmë kështu, do të kthehemi shpejt në shtëpi”, kishte thënë Xhaka.
Megjithatë, sipas ekspertit, Xhaka nuk ia atribuon përgjegjësinë vetëm të tjerëve, por gjithmonë e sheh veten pjesë të saj.
Për trajnerin e Zvicrës, Murat Yakin, Xhaka është një vlerë e madhe. Ai sjell qetësi, organizim dhe unitet në grup, duke e bërë më të lehtë punën e stafit teknik.
“Trajnerët e vlerësojnë këtë profil lideri. Prandaj edhe emra të mëdhenj si Xabi Alonso do ta dëshironin në ekipet e tyre”, thekson Zahner.
Sipas tij, jashtë Zvicrës, Xhaka shihet si një lider që ndikon pozitivisht te bashkëlojtarët dhe e ngrit nivelin e të gjithë ekipit. Megjithatë, në vendin e tij ai shpesh është përballur me kritika pikërisht për shkak të natyrës së tij të hapur dhe kërkesave të larta.
Disa e kanë cilësuar si shumë kritik, të ashpër apo dominant, por për mbështetësit e tij kjo është pikërisht ajo që e bën të veçantë.
Xhaka, sipas Zahnerit, është një kujtesë se suksesi kërkon karakter, guxim, punë të palodhur dhe përkushtim maksimal ndaj ekipit dhe fanellës që përfaqëson.
“Faleminderit, Granit Xhaka. Një lider i vërtetë, një lider i kompletuar”, përfundon Zahner./Albinfo.ch
Të tjera nga Botërori 2026
E-Diaspora
-
MPJD u bën thirrje qytetarëve të shmangin kalimin përmes Serbisë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, përfshirë bashkatdhetarët... -
Suedi: Vritet një i ri nga Kosova, raportohet se ishte kalimtar rasti -
Pse emigrantët po i kthejnë shpinën Gjermanisë -
Thirrje për të rinjtë e diasporës shqiptare dhe Ballkanit: Bashkohuni në Bootcamp-in “Building DiverCity” në Itali! -
Denoncon avokati Koci: Dyshime se një familjeje kosovare iu morën 2000 euro në kufirin Serbi–Kroaci
Jeta në Zvicër
-
Zvicra dhe Austria planifikojnë blerje të përbashkëta të armatimit Zvicra dhe Austria kanë vendosur të thellojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, duke planifikuar blerje të... -
Të ardhurat shtesë pa taksa? – Debat në Zvicër për bakshishet -
Nënkontraktorët e DHL-së në Zvicër paralajmërojnë rrezik falimentimi -
Model i ri banimi në Zvicër: Sa më shumë banorë në një apartament, aq më e ulët qiraja -
Një valë e re nxehtësie godet Zvicrën, alarm për valë të nxehti në disa rajone frëngjishtfolëse












