Poeti shqiptar Vaxhid Xhelili, i cili jeton në kantonin Baselland të Zvicrës ka kohë që është bërë pjesë e skenës letrare dhe artistike të kantonit ku jeton e më gjerë. Së fundi ai është futur në një listë shkrimtarësh të dy kantoneve (Baseland dhe Baselstadt) për të marrë pjesë në leximet letrare para nxënësve nëpër shkollat e këtyre dy kantoneve.
Lista është caktuar për vitin kalendarik 2014-2015 dhe bëhet fjalë për një projekt deri tash më serioz të këtyre dy kantoneve në këtë drejtim deri tash sqaron Xhelili për albinfo.ch.
Projektin e udhëheq dhe koordinon Pädagogischer Zentrum (PZ). Ndërkaq, autorët që lexojnë do të shpërblehen nga fondet e sektorëve për kulturë të kantoneve përkatëse dhe pjesërisht edhe nga shkollat ku ata janë të ftuar që të lexojnë.
Vaxhid Xhelili është prej vitesh i pranishëm në jetën letrare të regjionit gjermanishtfolës me dy përmbledhje poezish të përkthyera në gjuhën gjermane. Ai merr pjesë rregullisht edhe në aktivitete të ndryshme letrare e kulturore në kantonin Baselland dhe në gjithë Zvicrën.