E-Diaspora

FFK: Vendimi i FIFA-s shkon në drejtim të duhur

Eroll Salihu, sekretar i FFK-së: "Me këtë vendim përfaqësueses A i lejohet zhvillimi i ndeshjeve miqësore edhe me kombëtaret e shteteve anëtare të FIFA-s por që nuk na kanë njohur"

17.20

Komunikata e premtuar nga FIFA lidhur me vendimin e sotëm për lejimin e ndeshjeve miqësore të përfaqësueses kosovare, ka ardhur me disa orë vonesë. Në komunikatë thuhet veç tjerash se me vendimin e komisionit për urgjenca që funksionon në kuadër të FIFA-s, bazuar në nenin 83 të statutit të kësaj organizate komiteti ekzekutiv i FIFA-s mund tu lejojë anëtareve të saj që të zhvillojnë ndeshje miqësore edhe me kombëtaret që nuk janë anëtare, në këtë rast, me Kosovën.

Më tutje komisioni ka formuluar modalitetet se si do të zhvillohen ndeshjet në fjalë.

Anëtaret e FIFA-s kanë të drejtë të zhvillojnë ndeshje miqësore ndërkombëtare me klubet dhe me përfaqësueset kosovare të futbollit; klubet dhe përfaqësueset e FFK në këto ndeshje nuk kanë të drejtë të bartin simbolet shtetërore sie flamujt, emblemat etj dhe as të ekzekutojnë himnin e shtetit. Por ato kanë të drejtë të bartin në veshjet dhe pajisjet e tyre mbishkrimin me emrin “Kosova” (Kosovo) dhe simbolin e yllit në madhësinë e shkronjës o brenda emrit Kosovo. Më tutje theksohet se klubet dhe përfaqësueset e FFK-së nuk lejohen të zhvillojnë ndeshje zyrtare dhe kualifikuese  për sa kohë FFK-ja nuk është anëtare e FIFA-s. Po ashtu klubet dhe përfaqësueset kosovare nuk do të kenë të drejtë të zhvillojnë ndeshje me endet nga ish Jugosllavia. Ndeshjet miqësore duhet të paralajmërohen me shkrim në FIFA së paku 21 ditë para zhvillimit të tyre. FIFA pastaj do të informojë Federatën Serbe të Futbollit.

çdo shkelje e rregullave të lartshënuara e zhbën automatikisht vendimin, thuhet në fund të tekstit laksativ të komunikatës.

Në përmbyllje, theksohet se presidenti i FIFA-s, Blatter e ka përshëndetur vendimin ai citihet të ketë thënë se: “Vendimi i jep zhvillimit të futbollit në Kosovë një shtytje enorme dhe e rithekson edhe një herë forcën e jashtëzakonshme kohezive që ka futbolli”.

Nderkaq sekretari i FFK-së, Eroll Salihu ka thënë për albinfo.ch se me vendimin e sotëm është realizuar në masë të madhe synimi i federatës, për të zhvilluar ndeshje miqësore ndërkombëtare.

“Megjithëse na janë vënë disa kufizime,  ato janë të natyrës formale dhe të përkohshme. Fjala është për ndalimin e përdorimit të simboleve si flamurit dhe intonimi i himnit gjatë ndeshjeve. Por këto kufizime, Federata Serbe e Futbollit i ka ekzagjeruar duke i përdorur për konsum të brendshëm. Nga ana tjetër me vendimin e fundit përfaqësueses sonë A i lejohet të zhvillojë ndeshje miqësore, si brenda ashtu dhe jashtë vendit pa kërkuar lejen e Serbisë. Po kjo vlen edhe për përfaqësueset tona të kategorive tjera. Dhe jo vetëm kaq: përfaqësueses A i lejohet po ashtu zhvillimi i ndeshjeve miqësore edhe me kombëtaret e shteteve anëtare të FIFA-s por që nuk na kanë njohur. Me fjalë tjera bëhet fjalë për 209 federata të futbollit në botë”, thotë më tutje Salihu. Ai shton se nga takimi i kryetarit të FFK-së Fadil Vokrri me kryetarin e FIFA-s Sepp Blatter, dalin indicie se edhe barrierat për pranimin me të drejta të plota ngadalë janë duke rënë.

Një e arritur tjetër, sipas sekretarit të FFK-së është edhe refuzimi që FIFA i ka bërë federatës serbe për t`i inkuadruar ekipet futbollistike të serbëve te Kosovës në ligat e Serbisë. Pavarësisht se ne nuk kemi qasje në aktivitetet që zhvillojnë klubet në fjalë, konfirmimi nga FIFA për ndalimin e tyre flet në të mirë të futbollit kosovar, përfundon Eroll Salihu për albinfo.ch.

 

————————-

FIFA në një vendim që ka marrë sot në një mbledhje të komisionit të saj për urgjenca i ka dhënë dritën e gjelbër kombëtares A të futbollit të Kosovës për të luajtur ndeshje miqësore. “Më e rëndësishmja është  që sot u vendos që për ndeshjet e kombëtares sonë nuk do të kemi nevojë të kërkojmë lejen e federatës së futbollit të Serbisë”, ka thënë për albinfo.ch në një deklaratë telefonike nga vendi i ngjarjes, në selinë e FIFA-s në Cyrih, Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Por, ka theksuar ai, megjithatë, përfaqësimi i kombëtares sonë në ndeshjet ndërkombëtare do të bëhet me fusnotë.

Portali zviceran i sportit sport.ch në një njoftim të shkurtër të pak minutave më parë ka dalë me njoftimin se: “Kosova së shpejti do të ketë të drejtë të aranzhojë ndeshje miqësore të kombëtares së saj. Kjo publikohet pas një mbledhje të karakterit emergjent të FIFA-s”.

Ndërkohë, vetë FIFA pritet që në çdo moment të publikojë komunikatën e saj ku do të ketë edhe më tepër hollësi në lidhje me të drejtat e kombëtares së Kosovës për të zhvilluar ndeshje miqësore.

Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri merr pjesë sonte si i ftuar special i kryetarit të FIFA-s, Sepp Blatter në mbrëmjen Gala të ndarjes së çmimit për futbollistin e vitit në botë “Ballon d`or”.

/albinfo.ch/