Lajme
Diaspora po vazhdon të paguajë sigurimin kufitar
Edhe pse Qeveria e kaluar në mbledhjen e fundit të saj kishte marrë vendim për mbulimin e shpenzimeve të Kartonit të Gjelbër për të gjithë bashkatdhetarët dhe të huajt që vijnë në Kosovë gjatë vitit 2020, diaspora ende po vazhdon të paguajë sigurimin kufitar.
Mërgimtarët shprehen të indinjuar që nuk po zbatohet një vendim i tillë, i cili është në dobi të diasporës.
Ndonëse, zyrtarët e Ministrisë së Financave kanë thënë se ky vendim është miratuar si nismë dhe nuk janë konkretizuar modalitetet e zbatimit.
Zëdhënësi i kësaj ministrie, Muharrem Shahini, thotë për KosovaPress se Qeveria e Kosovës do të sqarojë me kohë për rrjedhën e hapave të mëtejmë rreth kësaj çështje.
“Qeveria e kaluar e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të fundit më 03.06.2020, nëpërmjet Vendimit Nr. 05/39 ka aprovuar fillimin e procedurave për krijimin e një mekanizmi për mbulimin e obligimeve të sigurimit kufitar për të gjithë bashkatdhetarët dhe të huajt që vijnë në Kosovë në vitin 2020, dhe që janë subjekt i policës kufitare. Ky vendim është miratuar si nismë dhe nuk ka konkretizuar modalitetet e zbatimit. Qeveria e Kosovës do të sqarojë me kohë për rrjedhën e hapave të mëtejmë rreth kësaj çështje”, thotë Shahini.
Besart Musliu, që jeton dhe vepron në Luksemburg, më 10 qershor ishte nisur me shumë vullnet për Kosovë, por në Merdarë ishte detyruar ta paguajë sigurimin, për çka ai është shprehur i habitur përse nuk është duke u implementuar vendimi për kompensimin e këtij sigurimi, raporton Kosovapress.
Përveç kostos materiale, Musliu, thotë se po krijohen edhe radhë të gjata pritjeje në kufi për mërgimtarët.
“Unë para se me u nisë prej Luksemburgut kam dëgjuar në televizor s’e për të gjithë ata që vijnë prej jashtë, këtë sigurim e kanë tërhequr për vitin 2020. Por, kur erdha (në Merdarë) me thanë që duhet të paguaj. Madje, unë i pyeta s’e a e keni tërhequr, më thanë jo. Unë iu thash se në TV e kam parë para do dite që s’kemi më nevojë të paguajmë. Aty një zyrtar qeshi dhe më tha, “Jo mos shiko shumë televizor”. Kështu që nuk është problemi vetëm te parat, për 15 euro, por krejt problemi është se kur po vijmë në kufi, ne po i bëjmë 2 mijë kilometra dhe kur po vijmë aty, vetëm 20 vetura me qenë, nga 20 minuta vonesë, po presim nga dy-tri orë në kufi”, theksoi Musliu.
Ndërsa, kryetari i Komisionit parlamentar për Financa dhe Transfere, Hekuran Murati, thotë se ka mungesë të vullnetit politik që të realizohet ky vendim për mbështetjen e diasporës.
Deputeti nga LVV thotë se qeveria do të duhej të angazhohej që ta çojë deri në fund këtë vendim.
“Pra, në mungesë të aftësisë që me u anëtarësua në Kartonin e Gjelbër si Kosovë, do të duhej që shteti me marrë përsipër atë barrë, në mënyrë që mos me të shtohen barrierat për mërgatën të cilët vijnë në Kosovë. Kostoja e mbulimit të Kartonit të Gjelbër, nëse nuk gaboj, sipas pasqyrave financiare sillet diku 3-5 milionë euro në vit, ose kostoja e mbulimit të dëmeve që shkaktohen prej mërgatës, që janë të regjistruara. Nuk është ndonjë kosto e madhe marrë parasysh kontributin financiar që mërgata e sjellë në Kosovë çdo vit. Në kushte normale ne do të duhej të ishim anëtarë të Kartonit të Gjelbër dhe kjo kosto të ishte e përfshirë në sigurimin që paguajnë mërgata në vendet prej nga vijnë. Por, në mungesë të një anëtarësimi të tillë, i cili është paksa edhe faji jonë si shtet nga administratat e kaluara, do të duhej që qeveria ta marrë përsipër këtë barrë”, thotë Murati.
Edhe profesori i ekonomisë, Nagip Skënderi, pohon se kompensimi i sigurimeve do të ishte një nga format nxitës për mërgimtarët që të vijnë në Kosovë, andaj edhe kërkohet një lehtësim për diasporën.
Profesori Skënderi pohon se nëse tash qeveria nuk e subvencionon formën e Kartonit të Gjelbër për të gjithë mërgimtarët që vijnë në Kosovë, do të ishte një humbje e madhe nga remitencat e diasporës, e cila do ta përshpejtonte zhvillimin ekonomik.
Më 3 qershor, në mbledhjen e fundit të Qeverisë të udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti, ishte marrë vendim për inicimin e fillimit të proceduarave për kompensimin e sigurimit kufitar për bashkatdhetar, përcjell Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Itali
Shqiptari bëhet hero në plazhin italian, shpëton dy notarë nga mbytja 26-vjeçari shqiptar rrezikon jetën për të shpëtuar dy persona nga mbytja në... -
Danimarkë
26-vjeçari shqiptar diplomon për Mjekësi në Universitetin e Kopenhagës -
Diaspora i siguron VV-së mandatin e 53-të, LDK humb një deputet -
“She Leads 2026” bëri bashkë bizneset shqiptare nga Zvicra, Kosova dhe Maqedonia e Veriut -
Në Cyrih protestohet për të mbrojtur Zvërnecin në Shqipëri
Jeta në Zvicër
-
Zvicër
Zvicra renditet vendi i tretë më paqësor në botë për vitin 2026 Indeksi Global i Paqes e ngjit Zvicrën dy vende më lart, falë stabilitetit institucional, nivelit të... -
SBB tregon në aplikacion trenat pa klimë gjatë verës -
Zvicër: Debat për heqjen e lehtësimit tatimor për hotelet -
Marrëveshja SHBA-Iran do të nënshkruhet në resortin luksoz zviceran -
Pas Bazelit, edhe Cyrihu po shqyrton zbritjen e tatimeve direkt nga paga













