Lajme

Në shtator, në Bazel fillon projekti për shitjen legale të kanabisit

Më 15 shtator në Bazel do të fillojë projekti i parë zviceran për shitjen legale të kanabisit në farmaci. Përdoruesit mbi 18 vjeç tani mund të regjistrohen për të marrë pjesë, me numrin e pjesëmarrësve të kufizuar në 370.

Më 15 shtator në Bazel do të fillojë projekti i parë zviceran për shitjen legale të kanabisit në farmaci. Përdoruesit mbi 18 vjeç tani mund të regjistrohen për të marrë pjesë, me numrin e pjesëmarrësve të kufizuar në 370.

Gjashtë produkte kanabinoide – katër lloje lulesh kanabisi dhe dy lloje hashash – do të shiten në nëntë farmaci të zgjedhura nga autoritetet, tha të enjten ministri kantonal i Shëndetësisë, Lukas Engelberger.

Çmimet e vendosura nga farmacitë do të jenë rreth atyre që vendosen në tregun e zi për produktet me përmbajtje THC.  Prandaj, një gram do të kushtojë 8 deri në 12 franga zvicerane (8,40-12,60 dollarë), raporton SWI, përcjell Albinfo.ch.

Zyra Federale e Shëndetit Publik aprovoi pilotin në prill. Ai do të jetë pjesë e një projekti nga Universiteti i Bazelit, klinikat e tij psikiatrike dhe Departamenti i shëndetësisë kantonale.

Projekti synon të ndihmojë në vlerësimin e efekteve të rregulloreve të reja në përdorimin rekreativ të kanabisit dhe përfundimisht të luftojë shpërndarjen në tregun e zi.

Disa autoritete të tjera lokale, duke përfshirë Cyrihun, Gjenevën dhe Bernën, kanë aplikuar gjithashtu prova të ngjashme. Parlamenti zviceran vendosi bazën ligjore për nisma të tilla në shkallë të vogël në shtator 2020.

Zyra shëndetësore vlerëson se ka 220 mijë konsumatorë të rregullt të kanabisit në Zvicër, pavarësisht ndalimit ligjor.  Përdorimi i kanabisit lejohet vetëm për arsye mjekësore.

Në vitin 2008 pothuajse dy të tretat e votuesve zviceranë hodhën poshtë një iniciativë për dekriminalizimin e konsumit të kanabisit;  ishte votimi i dytë kombëtar për këtë çështje në një dekadë./Albinfo.ch