Integrimi
Flasin mësueset e shqipes në Zvicër: Hana Bilalli
"Uroj që familja shqiptare të ndërgjegjësohet e që çdo fëmijë shqiptar të mësojë gjuhën amtare, të ruajë traditën dhe kulturën e prindërve të tij..."
Hana Bilalli, mësuese e shqipes, në kaudirn e LAPSH në Gjenevë, është bashkëbiseduesja e radhës, në serinë e intervistave që albinfo.ch ka zhvilluar me disa mësuese shqiptare në Zvicër.
albinfo.ch: Si e përjetoni festën e 7 Marsit sot ? Cila është e veçanta e kësaj dite ? A keni përgatitur me nxënës ndonjë veprimtari ?
Hana Bilalli: E ndjejmë veten shumë të gëzuar e të lumtur sot, më 7 Mars 2023 që po kujtojmë profesionin tonë më të dashur të mësuesit edhe pas kaq vitesh këtu në mërgim. Këtu në Zvicër jam e kënaqur që më është dhënë rasti të ushtroj profesionin e mësueses së mësimit plotësues të gjuhës shqipe me fëmijët shqiptarë, të cilët e kanë domosdoshmëri të mësuarit të gjuhës shqipe, të flasin dhe të shkruajnë saktë, gjuhën tonë me format e saj gramatikore.
Por gjithmonë më shoqëron një dhimbje pse të gjithë fëmijët shqiptarë nuk vijën në shkollën shqipe. Shkolla është hapur, por mungojnë fëmijët, kjo plagë vazhdon të jetë e hapur.
Uroj që familja shqiptare të ndërgjegjësohet e që çdo fëmijë shqiptar të mësojë gjuhën amtare, të ruajë traditën dhe kulturën e prindërve të tij në shkollën ku mëson, gjatë shkollimit të tij, krahas frëngjishtes, të ruajë edhe shqipen.
Këtë vit festën kushtuar 7 Marsit do ta festojmë në klasën e mësimit të gjuhës shqipe. Fillimisht fëmijët do ta recitojnë të gjithë “himnin” e gjuhës shqipe:
Gjuha jonë sa e mirë,
Sa e ëmbël, sa e gjerë,
Sa e lehtë, sa E DLIRË,
Sa e bukur, sa e vlerë.
Pastaj do të këndojnë dhe shohin një viedo-film për Mësonjëtoren e parë shqipe. Do të flasim pse gjuha shqipe ishte e ndaluar në atë kohë, pse turqit osman ndaluan gjuhën tonë, kush ishin mësuesit e parë shqiptarë që u flijuan për gjuhën e kombit tonë. Kështu nxënësit plot entuziazëm do ta kuptojnë sa mirë është kur e flasim dhe e shkruajmë me dëshirë gjuhën tonë që të parët tanë u sakrifikuan aq shumë për te.
Hana Bilalli: Në këtë ditë a të kujtohet mësuesi apo mësuesja e parë ? Kush ka qenë mësuesi i juaj i parë?
Kjo pyetje më pëlqen shumë. Më dhatë rastin të futem në të shkuarën e largët, në kujtime të thella.
albinfo.ch: Mësuesi juaj i parë ka qenë…?
Hana Bilalli: Mësuesi im i parë ka qenë Ali Azemi. Ishte mësues shumë i dashur dhe i sjellshëm për ne fëmijët, mbaj mend mënyrën si na trajtonte më bëri që ta dashuroj profesionin e mësuesisë. Do të doja të falënderoj të gjithë mësuesit e mësueset e mia që me mund dhe sakrificë më dhanë dritë e diturisë për të ecur në rrugën e jetës time
albinfo.ch: A ju kujtohet dita e parë si mësuese, kur dhe ku ?
Hana Bilalli: Dita e parë në profesionin e ëndrrave, pa marrë parasysh sa shpejt kalon koha mbetet prapë e freskët e skalitur në mendjen dhe zemrën time. Emocionet e para si mësuese i kam ndier në vitin 1994 në shkollën e fshatit tim të lindjes në Mirenë – Lipjan, në të njëjtën shkollë ku shkela për herë të parë si nxënëse, u ktheva si mësuese. Me padurim i prita nxënësit e mi të parë, u përpoqa t’u jap ngrohtësi dhe lumturi. Me dëshirë dhe përkushtim arrita të vë në zbatim profesionin që unë kisha studiuar.
albinfo.ch: Çfarë do të thotë të jesh mësuese e gjuhës shqipe në Zvicër ?
Hana Bilalli: Të jem mësuese në Gjenevë dhe t`u jap mësim në gjuhën shqipe fëmijëve të bashkatdhetarëve, këtë mundësi ma krijoi Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri “ në Zvicër. E vlerësoj! Edhe unë sikur shumë mësuese tjera besoj që gjuha amtare është e rëndësishme për fëmijët tanë që po lindin e rriten larg atdheut. Kjo më ngroh. Edhe unë do të lodhem por dikush, pas disa vitesh do ta vlerësojë këtë përpjekje që po bëjmë ne mësueset për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe këtu në mërgim.
albinfo.ch: Brezi i shqiptarëve të Mësonjëtores së parë shqipe kombëtare laike u sakrifikuan shumë për gjuhën shqipe, ishin me të vërtetë brezi më shembullor i kombit shqiptar. Ata e donin kombin më shumë se jetën. A gjenden sot shqiptarë me ideale mahnitëse për gjuhën dhe kulturën shqiptare ?
Hana Bilalli: Mendoj se ka shqiptarë të tillë, ata mësues apo mësuese dhe prindër që punojnë për të ruajtur e përcjellë gjuhën shqipe tek brezi i ri, edhe pse larg atdheut, pa ndihmën e shtetit tënd është diçka me vlerë të madhe morale dhe kombëtare.
Intervistën e realizoi: Nexhmije Mehmetaj
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Vlashent Sata “Lufto me kenë i mirë, ma shumë ke me kenë i lirë” Vlashent Sata, një identitet artistik që harmonizon rrënjët me estetikën bashkëkohore. Intervistë me artistin që ndërthur... -
Nata e parë e Tri Net Film Fest, një fillim i mbarë i festivalit -
Itali
9-vjeçarja shqiptare fiton festivalin italian “Zecchino d’Oro” për herë të parë në 68 vjet -
Gjermani
Ekspozitë në Braunschweig, identiteti dhe arti kosovar në skenën gjermane -
Familja Munishi dhe vizioni i Nikolas: Një histori suksesi në Wil
Jeta në Zvicër
-
Nata e parë e Tri Net Film Fest, një fillim i mbarë i festivalit Tri Net Film Fest nis edicionin 2025. Salla e Neues Kino mirëpriti mbrëmë natën e parë... -
Familja Munishi dhe vizioni i Nikolas: Një histori suksesi në Wil -
Shtëpitë e të moshuarve në kantonin Aargau po arrijnë kapacitetin maksimal. -
Trenat e natës: Sa të dobishëm janë dhe çfarë mund të ofrojnë? -
Kërkimet më të shpeshta në Google në Zvicër në vitin 2025











