Lajme
Festë dhe tension në Paris pas fitores historike të PSG-së në Ligën e Kampionëve
Fitorja e shumëpritur e Paris Saint-Germain në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Interit (5-0) u shoqërua me gëzim të jashtëzakonshëm në kryeqytetin francez, por nuk munguan as incidentet dhe tensionet që prishën atmosferën festive, shkruan Le Monde, transmeton albinfo.ch.
Sipas Prefekturës së Policisë së Parisit, 181 persona u arrestuan gjatë mbrëmjes së së shtunës, 31 maj, kryesisht në zonën e Champs-Élysées dhe përreth Parc des Princes, ku ndeshja u transmetua në ekrane gjigante për mijëra tifozë të pranishëm.
Pavarësisht se shumica e festimeve kaluan në paqe, autoritetet raportuan akte vandalizmi dhe plaçkitje, përfshirë një dyqan këpucësh sportive në Champs-Élysées ku rreth tridhjetë persona hynë me forcë. Tensionet filluan të ndihen që përpara fishkëllimës së fundit në orën 22:45, kur tashmë 81 persona ishin ndaluar nga policia.
Sipas autoriteteve, “problematikat” u përqendruan kryesisht në Porte de Saint-Cloud dhe në majë të Champs-Élysées. Një top uji u përdor nga policia për të shpërndarë turmat që tentuan të afrohen te Harku i Triumfit, zona e cila ishte bllokuar për trafik e këmbësorë gjatë gjithë mbrëmjes.
Një automjet u dogj rreth orës 23:00 në Porte de Saint-Cloud, ndërsa zjarrfikësit ndërhynë disa herë për të shuar zjarre të shkaktuara nga biçikleta elektrike, që rrezikonin automjetet në afërsi. Edhe transporti publik nuk shpëtoi pa tensione në stacionin Charles-de-Gaulle Etoile, policia ndërhyri pasi një turmë u përpoq të hipte me forcë në trenin RER A.
Në një deklaratë në platformën X, Ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau, dënoi ashpër dhunën: “Barbarët që dolën në rrugët e Parisit për të provokuar policinë nuk kanë asgjë të përbashkët me tifozët e vërtetë të PSG-së që festonin fitoren madhështore. Është e padurueshme që nuk mund të festohet në qetësi për shkak të një pakice që nuk respekton asgjë.”
Për sigurinë e qytetit, në mbrëmje ishin dislokuar 5,400 forca policore dhe xhandarë, të cilët mbetën në gatishmëri përgjatë gjithë zonës metropolitane, transmeton albinfo.ch.
Ndërkohë, në Grenoble, festimet u kthyen në tragjedi pasi një makinë humbi kontrollin dhe përplasi një turmë, duke lënë të plagosur katër persona nga e njëjta familje, dy prej tyre në gjendje të rëndë. Shoferi është ndaluar dhe ndodhet në paraburgim.
Megjithë incidentet, për mijëra qytetarë dhe tifozë të PSG-së, kjo mbeti një natë e paharrueshme që shënoi një kapitull të ri në historinë e klubit dhe futbollit francez, transmeton albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Gjermani
Kosova me ligj të ri për shtetësinë, lehtësohen procedurat për diasporën në Gjermani Nga 22 maji kanë hyrë në fuqi rregulla të reja për regjistrimin, ri-fitimin dhe natyralizimin e... -
Albin Kurti nesër në Zvicër, takim me mërgatën shqiptare në Cyrih -
LDK mban takim me bashkatdhetarë në Vjenë -
Koncerti Zvicerano-Kosovar bashkon diplomacinë, kulturën dhe miqësinë në SHBA -
Zvicër
Policia zvicerane arreston 67-vjeçarin nga Kosova si të dyshuar për tentim mashtrimi me telefon
Jeta në Zvicër
-
Mijëra zviceranë demonstrojnë kundër iniciativës “10 milionë” Në pankarta shkruante veç tjerash, se do të ishte më mirë të kufizoheshin emetimet e CO2... -
Jans nxit reagime me krahasimin e nismës “10 milionëshe” me Brexit-in -
Zvicra zgjeron sanksionet ndaj Rusisë -
Dy gjyqtarët në lidhje dashurie mbeten në detyrë -
Spitali Universitar i Cyrihut raporton në prokurori 10 vdekje të dyshimta













