Lajme
Zgjedhjet në Ecublens: Naser Iseni dhe Lorik Hyseni – Kur përvoja takohet me energjinë e re
Në garën për Këshillin Komunal të Ecublensit, Partia Socialiste prezanton dy profile që plotësojnë njëri-tjetrin. Naser Iseni, kandidat për herë të tretë, sjell qëndrueshmërinë dhe njohjen e dosjeve, ndërsa Lorik Hyseni, në garën e tij të parë, përfaqëson zërin e rinisë. Në një intervistë për Albinfo.ch, ata shpalosin vizionin e tyre për një Ecublens më social dhe u bëjnë thirrje shqiptarëve: “Vota juaj është fuqia juaj”.
INTERVISTA ME NASER ISENI
Albinfo.ch: Komuniteti shqiptar njihet për dinamizmin e tij sipërmarrës dhe vlerat ndonjëherë konservatore, të cilat shpesh e shtyjnë drejt partive borgjeze (të djathta). Ju keni bërë zgjedhjen e kundërt duke u angazhuar me të majtën në Ecublens. Cili është kuptimi i këtij hapi dhe si planifikoni ta bindni këtë elektorat “natyrisht të djathtë” që të mbështesë listën tuaj?
Naser Iseni: Angazhimi im me Partinë Socialiste nuk bie në kundërshtim me shpirtin sipërmarrës, përkundrazi. Një ekonomi e fortë ka nevojë për drejtësi sociale dhe shërbime publike cilësore. Vlerat e solidaritetit dhe barazisë që mbron PS-ja janë në fakt shumë të afërta me traditën shqiptare të ndihmës ndaj njëri-tjetrit. Unë dua t’i bind votuesit se interesat e familjeve punëtore dhe të klasës së mesme në Ecublens – si shkollimi cilësor dhe siguria sociale – mbrohen më së miri nga politikat tona.
Albinfo.ch: Ju garoni për herë të tretë për Këshillin Komunal në Ecublens. Si kandidat me përvojë në gara, si planifikoni ta vazhdoni këtë punë përfaqësimi dhe ta bëni të dëgjohet zëri i diversitetit brenda institucioneve?
Naser Iseni: Këmbëngulja është pjesë e karakterit tim dhe e komunitetit tonë. Kandidimi për herë të tretë tregon se angazhimi im është serioz dhe afatgjatë, jo për përfitime të çastit. Tani në Ecublens na duhet vazhdimësi. Unë sjell njohjen e dosjeve lokale dhe qëllimi im është që prania jonë në institucione të mos jetë më një “risi”, por një normalitet ku zëri i diversitetit është pjesë e vendimmarrjes për çdo projekt të qytetit.
Albinfo.ch: Jeta në rajonin tonë, dhe specifikisht në Ecublens, po bëhet e shtrenjtë (qiratë, sigurimet, mobiliteti). Cilen masë konkrete të programit tuaj do të mbroni me përparësi për të lehtësuar përditshmërinë e banorëve?
Naser Iseni: Prioriteti im absolut mbetet strehimi i përballueshëm dhe mbështetja për familjet. Ecublensi është nën presion të lartë të qirave për shkak të afërsisë me universitetet. Unë do të angazhohem për më shumë banesa me qira të kontrolluara dhe, mbi të gjitha, për zgjerimin e kapaciteteve në çerdhe dhe strukturat para-shkollore (APEMS). Prindërit duhet të kenë mundësi të punojnë pa u rënduar ekonomikisht nga kostot e kujdesit për fëmijët.
Albinfo.ch: Shumë pjesëtarë të diasporës e kanë të drejtën e votës, por nuk e ushtrojnë atë. Nëse do të kishit një minutë për të nxitur një votues me origjinë shqiptare në Ecublens që të shkojë te kutitë e votimit, çfarë do t’i thoshit?
Naser Iseni: Të nderuar bashkatdhetarë, mos lejoni që të tjerët të vendosin për lagjen tuaj, për shkollën e fëmijëve tuaj apo për taksat tuaja. Mospjesëmarrja është dorëzim. Vota juaj është fuqia juaj reale. Pas tri kandidimesh, unë e di se çdo votë numërohet dhe bën ndryshimin. Dilni dhe votoni për listën e PS-së, votoni për zërin tuaj në Ecublens!
INTERVISTA ME Lorik Hyseni
Në prag të zgjedhjeve komunale të muajit mars, gjithnjë e më shumë të rinj me prejardhje shqiptare po zgjedhin të angazhohen aktivisht në politikën lokale në Zvicër. Njëri prej tyre është Lorik Hyseni, kandidat për herë të parë në Këshillin Komunal të Ecublens, i cili përfaqëson një brez të ri qytetarësh të arsimuar, pluralistë dhe të ndjeshëm ndaj sfidave sociale e mjedisore. Në këtë intervistë për albinfo.ch, ai flet për zgjedhjen e tij politike, prioritetet konkrete për qytetin dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjve të diasporës në proceset demokratike.
albinfo.ch: Komuniteti shqiptar shpesh anon nga vlerat konservatore, por ju si i ri keni zgjedhur Partinë Socialiste. Pse kjo zgjedhje për hapin tuaj të parë në politikë dhe si mendoni se programi i majtë i përgjigjet më mirë sfidave të të rinjve në Ecublens?
Lorik Hyseni Në realitet, komuniteti shqiptar nuk është i lidhur me vlera konservatore, por thellësisht i lidhur me kulturën dhe historinë e tij. Shqiptarët nuk përbëjnë një popull homogjen; pikërisht kjo larmi është themeli i solidaritetit të tyre. Aftësia për të qenë të bashkuar në dallime është një pasuri. Për këtë arsye angazhohem në një parti të majtë, e cila mbron solidaritetin, pranimin e diversitetit dhe pluralitetin — ashtu siç e përfaqëson rinia shqiptare: pluraliste, e arsimuar, e hapur dhe mikpritëse.
albinfo.ch: Si kandidat që garon për herë të parë, çfarë risie apo perspektive të re dëshironi të sillni në Këshillin Komunal, ndryshe nga politikanët që janë aty prej vitesh?
Lorik Hyseni:Kandidatët e rinj sjellin perspektiva të reja dhe nxjerrin në pah çështje që ndonjëherë janë trajtuar pak. Këto kontribute forcohen dhe strukturohen nga përvoja e kandidatëve më me përvojë. Sa më përket mua, qasja financiare në transportin publik si dhe zhvillimi i gjelbërimit në qytet janë prioritete thelbësore për të realizuar një tranzicion drejt një mjedisi më të qëndrueshëm.
albinfo.ch: Të rinjtë dhe familjet e reja në Ecublens kanë sfida specifike, nga mobiliteti te aktivitetet kulturore e sportive. Cila është ajo çështje konkrete për të cilën do të “luftoni” më shumë nëse merrni mandatin?
Lorik Hyseni Sot, në Ecublens dalin në pah tre sfida kryesore: krijimi i banesave me çmime të përballueshme, investimet në infrastrukturën e mobilitetit dhe zhvillimi i zonave të freskëta për të paraprirë ngrohjen globale dhe për të shoqëruar tranzicionin ekologjik. Këto prioritete janë thelbësore, ashtu si edhe çështja e vendeve në shkolla dhe çerdhe, e cila meriton gjithashtu vëmendje të veçantë.
albinfo.ch: Pjesëmarrja në votime shpesh është e ulët, sidomos te gjeneratat e reja të diasporës. Nëse keni vetëm një minutë kohë, si do ta bindnit një bashkëmoshatar tuajin në Ecublens që të dalë e të votojë për ju këtë mars?
Lorik Hyseni: Të rinjtë e diasporës janë shumë të prekur nga politika lokale, sepse ajo ndikon drejtpërdrejt në jetën e tyre të përditshme: rrugët, infrastrukturat sportive dhe kulturore, metroja, autobusët, trenat, zonat e takimit, ndriçimi publik, banesat. Nëse ata abstenojnë nga votimi, interesat e tyre rrezikojnë të mos përfaqësohen. Ndërkohë, ndodh që një vend në këshillin komunal të vendoset me vetëm disa vota diferencë. Prandaj, pjesëmarrja e tyre mund të bëjë dallimin.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Përparim Avdili: Të tjerët mbrojnë status quo-në, unë përfaqësoj ndryshimin “Unë sjell energji të re, ide konkrete. Të tjerët përfaqësojnë status quo-në – unë përfaqësoj ndryshimin...",... -
Manifestimi “Kurora e Lirisë”, kujtesë që bashkon brezat në Zvicër -
Vaud
Zgjedhjet 2026 në Ecublens: Vështrime të kryqëzuara mbi të ardhmen e komunës -
“Kushtrimi i Lirisë” në Itali, një thirrje e zemrës për kujtesë, nderim dhe bashkim -
Ag Apolloni ligjëron në Harvard për mitin e besës shqiptare
Jeta në Zvicër
-
Komisioni Shtetëror shqyrton financimin e pensionit të 13-të AHV Financimi i pensionit të 13-të AHV duhet të bazohet në një zgjidhje të përzier, pohon Komisioni... -
Blatten po rilind ngadalë, ndonëse 70% e fshatit është në zonën e kuqe -
Si dëshiron ta bëjë Zvicra vendin më të lirë për turistët e huaj -
FDA miraton trajtimin e leukemisë nga Roche -
Ermal Dredha ka marrë zyrtarisht detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Bernë













