Lajme
Zgjedhjet 2026 në Ecublens: Vështrime të kryqëzuara mbi të ardhmen e komunës
Rinia, sipërmarrja dhe rigoroziteti financiar në qendër të debateve.
Në prag të zgjedhjeve komunale të marsit 2026, Albinfo.ch ka takuar dy figura kyçe të listës PLR + Të Pavarurit e Djathtë të Ecublens-it. Nga njëra anë, Adrian Thaqi, 29 vjeç, mishëron një brez të ri të vendosur për të lidhur inovacionin me traditat. Nga ana tjetër, Cédric Sandoz, 44 vjeç, sjell një përvojë të veçantë që ndërthur ekspertizën financiare me realitetin familjar.
Midis dinamizmit ekonomik, integrimit të diasporës dhe menaxhimit pragmatik të financave publike, zbuloni vizionet e tyre për një Ecublens të fortë dhe të gjallë.
ADRIAN THAQI – Brezi i ri i angazhuar
Unë quhem Adrian Thaqi, jam 29 vjeç dhe jam “Automation Lead” (Udhëheqës i Automatizimit) në UCB Farchim SA, një kompani farmaceutike me bazë në Bulle. Roli im konsiston në drejtimin e strategjisë së automatizimit për realizimin e një njësie të re prodhimi. Ky funksion më lejon të menaxhoj projekte komplekse, të koordinoj ekipe multidisiplinare dhe të zbatoj zgjidhje efikase dhe pragmatike. Prindërit e mi më kanë transmetuar vlera të forta: punën, rigorozitetin dhe angazhimin. Si sipërmarrës në industrinë e makinerive në zonën e Côte, ata më mësuan këmbënguljen dhe kërkesën për përsosmëri në çdo rrethanë. Këto parime vazhdojnë të udhëheqin veprimet e mia profesionale dhe personale, me të njëjtin pasion.
Shkëndija e angazhimit politik
albinfo.ch: Adrian Thaqi, ju po hyni në garën për Këshillin Komunal. Cila ishte shtysa e angazhimit tuaj politik dhe pse zgjodhët PLR-në për të mbrojtur idetë tuaja?
Adrian Thaqi: Angazhimi im politik lindi nga një kombinim i përgjegjësive të mia të para profesionale dhe shërbimit tim ushtarak në ushtrinë zvicerane, ku kuptova se përgjegjësia dhe solidariteti mund të shkojnë dorë për dore. Përpiqem të respektoj thënien: “të them atë që bëj dhe të bëj atë që them”. Ishin gjithashtu prindërit e mi dhe fqinji im, ish-kryetar i PLR+ID Ecublens, ata që më inkurajuan të bëja këtë hap. Sot dëshiroj të vë energjinë dhe aftësitë e mia në shërbim të komunës sime për të mbrojtur vlerat që çmoj : Të shoqërojmë evoluimet e botës moderne duke respektuar traditat tona; Të favorizojmë një mjedis ekonomik të favorshëm për sipërmarrjen dhe shpirtin e iniciativës; Të ruajmë familjen si vlerë thelbësore të shoqërisë dhe të promovojmë arsimin për një të ardhme konkurruese të vendit tonë. Bashkimi me PLR+ID erdhi natyrshëm, sepse kjo parti mishëron për mua ekuilibrin midis pragmatizmit, lirisë individuale dhe ndjenjës së përgjegjësisë ndaj shoqërisë sonë.
Prioritetet: Ekonomia, Financat dhe Rinia
albinfo.ch: Nëse zgjidheni, cilat janë dosjet prioritare në të cilat dëshironi të investoheni? A ka ndonjë projekt specifik që e keni përzemër?
Adrian Thaqi: Nëse zgjidhem, prioritetet e mia do të jenë si më poshtë:
Mbështetja për ekonominë lokale dhe për NVM-të (Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme), si dhe për formimin: inkurajimi i inovacionit, tërheqja e kompanive me vlerë të lartë të shtuar dhe forcimi i lidhjeve midis botës shkollore dhe asaj profesionale.
Menaxhimi i përgjegjshëm i financave publike, duke kufizuar shpenzimet brenda të ardhurave fiskale që na beson tatimpaguesi; çdo frangë e shpenzuar duhet të justifikohet dhe të përdoret në mënyrë transparente.
Siguria, traditat dhe cilësia e jetës: garantimi i një mjedisi jetese të qëndrueshëm dhe të sigurt për familjet, duke mbështetur njëkohësisht shoqatat lokale.
Një projekt që e kam veçanërisht për zemër është forcimi i urave midis talenteve të reja dhe kompanive të rajonit. Ecublens ka një potencial të fortë akademik dhe ekonomik që duhet të lidhet më mirë.
Kontributi i diasporës
Albinfo.ch interesohet nga afër për suksesin e diasporës. Si e perceptoni rëndësinë e pjesëmarrjes politike të qytetarëve zviceranë me origjinë shqiptare në nivel lokal?
Adrian Thaqi: Pjesëmarrja politike e qytetarëve zviceranë me origjinë shqiptare është e rëndësishme. Zvicra na ofron stabilitet, mundësi dhe siguri. Prandaj është thelbësore të angazhohemi për të kontribuar në të ardhmen e saj. Përmes aftësisë së saj për punë dhe dëshirës për t’u integruar me forcat vitale të vendit, diaspora shqiptare mund të kontribuojë në mënyrë të dukshme në zhvillimin e Zvicrës moderne dhe t’i mundësojë asaj të ruajë, apo edhe të forcojë, situatën e privilegjuar ekonomike dhe sociale që gëzon aktualisht. Në këtë logjikë integrimi, angazhimi politik është i vetvetishëm dhe është në këtë kontekst që unë kandidoj për Këshillin Komunal të Ecublens.
Mesazh për rininë
albinfo.ch: Çfarë mesazhi dëshironi t’u drejtoni të rinjve të Ecublens-it që ende hezitojnë të interesohen për politikën ose të votojnë në mars 2026?
Adrian Thaqi: Të rinjve të Ecublens-it, dhe jo vetëm atyre të diasporës, dua t’u them këtë: Politika nuk është e largët. Ajo ndikon në mjedisin tuaj të jetesës, shkollat tuaja, mundësitë tuaja profesionale dhe të ardhmen tuaj. Megjithatë, shumë të rinj nuk votojnë dhe zëri i tyre mbetet kështu i padëgjueshëm. Mund të më kontaktoni drejtpërdrejt nëse keni pyetje. Mos hezitoni të angazhoheni, të bëni pyetje dhe t’u bashkoheni shoqërive lokale. Aty do të bëni njohje, do të merrni pjesë në diskutime pasuruese dhe do të shkëmbeni mendime me njerëz të të gjitha moshave dhe horizonteve. Ky diversitet e bën demokracinë tonë të gjallë dhe të fortë. Marsi 2026 përfaqëson një mundësi të rëndësishme për rininë e Ecublens-it për të treguar se është e ndërgjegjshme, e përgjegjshme dhe e përfshirë. Zëri juaj vlen vërtet. Na mbështesni duke votuar listën nr. 5 PLR + Të Pavarurit e Djathtë të Ecublens-it!
CÉDRIC SANDOZ – Përvoja në shërbim të komunës
Unë quhem Cédric Sandoz, jam 44 vjeç, jam baba shtëpiak dhe politikan komunal. Kam studiuar menaxhim biznesi, opsioni sipërmarrje, në Shkollën e Lartë të Menaxhimit (HEIG-VD). Flas pesë gjuhë, gjë që është e dobishme për të komunikuar me komunitetet e ndryshme të Ecublens-it. Në politikë, jam këshilltar komunal dhe kryetar i grupit PLR + Të Pavarurit e Djathtë. Marr pjesë në komisionin e menaxhimit dhe jam sekretar i PLR-së për rrethin tonë. Së fundmi, para katër vitesh, pata fatin të vizitoja Shqipërinë, një vend shumë mikpritës dhe i mrekullueshëm.
Financa dhe familja: një ekspertizë e dyfishtë
albinfo.ch: Zoti Sandoz, ju keni një profil të veçantë: duke ardhur nga bota e financës (UBS, Thomson Reuters), sot jeni baba në shtëpi ndërkohë që drejtoni PLR-në e Ecublens-it. Si ndikon kjo përvojë e dyfishtë, rigoroziteti i shifrave i ndërthurur me realitetin e përditshëm të familjeve, në vizionin tuaj për politikën lokale?
Cédric Sandoz: Kam studiuar financë dhe kam punuar në mbështetjen financiare, ku kontakti dhe shoqërimi i klientëve zinin një vend qendror. Sot, u përkushtohem dy fëmijëve të mi, sepse për mua familja është shumë e rëndësishme. Të jesh prind është një sfidë, ashtu si angazhimi politik: në të dyja rastet, dëgjimi, vëmendja dhe ndjenja e përgjegjësisë janë thelbësore.
“Prekja Sandoz” për Ekzekutivin
albinfo.ch: Ecublens është një qytet në rritje të plotë. Cilat janë, sipas jush, nevojat më urgjente që shumica aktuale nuk i ka adresuar mjaftueshëm? Çfarë do të sillte konkretisht më shumë “prekja Sandoz” në Ekzekutiv?
Cédric Sandoz: Prioritetet tona duhet të jenë të qarta: ruajtja e ekuilibrit buxhetor, përgjigjja ndaj shqetësimeve të sigurisë, ruajtja e mobilitetit dhe thjeshtimi i procedurave administrative. Unë sjell një qasje pragmatike, të bazuar në realitetin e terrenit, falë dëgjimit të banorëve. Një peticion dhe disa fushata më kanë mundësuar të takoj shumë bashkëqytetarë.
Diversiteti dhe kozmopolitizmi
albinfo.ch: Ecublens është një qytet kozmopolit. Si e perceptoni këtë diversitet kulturor brenda popullsisë? A vlerësohet ai mjaftueshëm, sipas jush, në jetën shoqërore dhe qytetare të komunës?
Cédric Sandoz: Ecublens është një qytet kozmopolit dhe dinamik. Pasuria kulturore, manifestimet lokale dhe lidhjet midis komuniteteve janë një forcë. Si shtetas i dyfishtë zviceran dhe grek, jam veçanërisht i ndjeshëm ndaj këtij diversiteti që përbën vitalitetin e komunës sonë.
Mbështetja për sipërmarrjen lokale
albinfo.ch: Komuniteti shqiptar i Zvicrës njihet për dinamizmin e tij të fortë sipërmarrës (ndërtim, shërbime, gastronomi). Si liberal-radikal, çfarë masash planifikoni të vendosni për të mbështetur këtë rrjet të NVM-ve lokale dhe për të inkurajuar këta sipërmarrës me origjinë nga migracioni që të investojnë më shumë në ekonominë e Ecublens-it?
Cédric Sandoz: Një qytet në zgjerim ka nevojë për sipërmarrës dhe shërbime të forta. Unë e njoh dinamizmin e diasporës shqipfolëse. Për shembull, këtë javë, ishte shumë para orës 7:00 që tre sipërmarrës shqipfolës më ofruan një kafe për të biseduar para se të nisëseshin për në kantieret e tyre. Mbështetja e sipërmarrësve, vlerësimi i punës dhe mbrojtja e lirisë së sipërmarrjes janë prioritete thelbësore.
Menaxhimi financiar dhe infrastrukturat
albinfo.ch: Me praninë e EPFL-së dhe zhvillimin demografik, sfidat buxhetore janë të mëdha. Si planifikoni të mbani financa të shëndosha duke investuar njëkohësisht në infrastrukturat e nevojshme?
Cédric Sandoz: EPFL është një aset dhe ardhja e Radio Televizioni Ziviceran (RTS) forcon edhe më shumë atraktivitetin e komunës sonë. Kjo rritje nënkupton investime të shënjestruara dhe të kontrolluara në infrastrukturat prioritare, veçanërisht sportive dhe shkollore. Unë mbroj një menaxhim rigoroz: të investojmë aty ku është e nevojshme, duke shmangur projektet e kushtueshme dhe jo prioritare. Në listën bashkiake, unë shoqërohem nga dy kandidate, Daniela Miéville dhe Frédérique Landry-Reeb. Së fundmi, grupi ynë PLR+ID në Këshillin Komunal, në LISTËN 5, angazhohet të ruajë financa të shëndosha, cilësinë e jetës dhe sigurinë e komunës sonë.
Lexoni po ashtu:
Zgjedhjet në Ecublens: Naser Iseni dhe Lorik Hyseni – Kur përvoja takohet me energjinë e re
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Përparim Avdili: Të tjerët mbrojnë status quo-në, unë përfaqësoj ndryshimin “Unë sjell energji të re, ide konkrete. Të tjerët përfaqësojnë status quo-në – unë përfaqësoj ndryshimin...",... -
Manifestimi “Kurora e Lirisë”, kujtesë që bashkon brezat në Zvicër -
“Kushtrimi i Lirisë” në Itali, një thirrje e zemrës për kujtesë, nderim dhe bashkim -
Ag Apolloni ligjëron në Harvard për mitin e besës shqiptare -
Zvicër
Koncert festiv në Thun për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Jeta në Zvicër
-
Komisioni Shtetëror shqyrton financimin e pensionit të 13-të AHV Financimi i pensionit të 13-të AHV duhet të bazohet në një zgjidhje të përzier, pohon Komisioni... -
Blatten po rilind ngadalë, ndonëse 70% e fshatit është në zonën e kuqe -
Si dëshiron ta bëjë Zvicra vendin më të lirë për turistët e huaj -
FDA miraton trajtimin e leukemisë nga Roche -
Ermal Dredha ka marrë zyrtarisht detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Bernë
















