Lajme

Studim: Proteinat e gjakut reduktojnë stresin dhe mund të ngadalësojnë plakjen

Hulumtuesit nga Gjeneva dhe Lozanë kanë zbuluar se gjaku i qindra-vjeçarëve përmban 37 proteina që mund të ngadalësojnë procesin e plakjes. Ky zbulim mund të hapë rrugën për terapi të reja kundër dobësisë së lidhur me moshën, sipas Universitetit të Gjenevës (UNIGE).

Sipas UNIGE, pesë nga këto proteina lidhen me stresin oksidativ, i cili mendohet se përshpejton plakjen. “Stresi oksidativ ishte ndjeshëm më i ulët,” tha Flavien Delhaers, hulumtues në Institutin e Fiziologjisë së Qelizave dhe Metabolizmit pranë Fakultetit të Mjekësisë të UNIGE dhe autor i parë i studimit, i cili u publikua në revistën shkencore Aging Cell.

Proteinat tregojnë “rininë” e gjakut

Mes proteinave të gjetura janë ato që rregullojnë matricën jashtëqelizore, disa mund të luajnë rol në luftën kundër kancerit, ndërsa një tjetër sugjeron se qindra-vjeçarët ruajnë një ekuilibër të shëndetshëm karbohidratesh. UNIGE thekson se jetëgjatësia duket e lidhur ngushtë me një metabolizëm të mirë të rregulluar, ku shëndeti metabolic optimizohet në vend që të intensifikohet.

Nuk është vetëm gjenetika

Hulumtuesit theksuan se sekreti i një jete të gjatë nuk mbështetet vetëm te gjenetika. Faktorë si dieta, aktiviteti fizik dhe lidhjet sociale janë po aq të rëndësishëm, ndërsa shmangia e mbipeshës ndihmon në ruajtjen e një metabolizmi të shëndetshëm.

Ky studim është pjesë e projektit hulumtues zviceran Swiss100, që fokusohet te qindra-vjeçarët dhe mbledh të dhëna nga katër fusha: sociologji, psikologji, mjekësi dhe biologji. Në Zvicër, qindra-vjeçarët përbëjnë vetëm 0.02% të popullsisë.