Lajme

Mërgata kosovare në Zvicër voton më 6 qershor në ambasadë dhe konsullata

Ambasada e Republikës së Kosovës në Zvicër ka njoftuar se procesi i votimit fizik për qytetarët e Kosovës të regjistruar paraprakisht do të zhvillohet më 6 qershor 2026 në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në Zvicër.

Sipas njoftimit, votimi do të mbahet në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë, si dhe në Konsullatat e Republikës së Kosovës në Gjenevë dhe Cyrih. Të drejtë vote kanë vetëm qytetarët që janë regjistruar paraprakisht për votim fizik në këto përfaqësi diplomatike.

Ambasada ka bërë të ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar një vendim që u mundëson qytetarëve të votojnë edhe me dokumente identifikimi të Kosovës që kanë kaluar afatin e vlefshmërisë. Ky vendim vlen vetëm për votuesit e regjistruar paraprakisht për votim fizik në përfaqësitë diplomatike.

Dokumentet e pranueshme për identifikim janë pasaporta, letërnjoftimi dhe leja e vozitjes e Republikës së Kosovës.

Sipas autoriteteve, ky vendim synon t’u mundësojë bashkatdhetarëve ushtrimin e së drejtës kushtetuese për të votuar edhe në rastet kur dokumentet e tyre të identifikimit janë të skaduara.

Për shkak të pjesëmarrjes së madhe që pritet në procesin zgjedhor, qytetarëve u rekomandohet përdorimi i transportit publik për të shmangur vështirësitë në qarkullim dhe parkim pranë qendrave të votimit.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të regjistruar që të marrin pjesë në votim, duke theksuar se pjesëmarrja në zgjedhje është një e drejtë themelore demokratike dhe mënyra më e drejtpërdrejtë për të shprehur vullnetin e tyre.