Lajme
Gjenevë: U debatua për integrimin e gruas shqiptare në Zvicër dhe u prezantua nisma “Zëri i Gruas LIRA”
Ngjarja u mbajt më 6 mars në Gjenevë, ku u bë edhe prezantimi i nismës “Zëri i Gruas LIRA”, pjesë e platformës e-drejtajote.ch
Integrimi i gruas shqiptare në shoqërinë zvicerane dhe roli i saj në jetën sociale e profesionale të diasporës ishte në qendër të një mbrëmjeje diskutimi që mblodhi gra të komunitetit shqiptar në Zvicër. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Grave dhe u konceptua si një hapësirë reflektimi mbi përvojat, sfidat dhe arritjet e grave shqiptare në mërgatë.
Ngjarja u mbajt më 6 mars në Gjenevë, ku u bë edhe prezantimi i nismës “Zëri i Gruas LIRA”, pjesë e platformës e-drejtajote.ch, një iniciativë që synon të nxisë dialogun, ndërgjegjësimin dhe fuqizimin e grave shqiptare në diasporë.
Programi u hap nga moderatorja Nerxhivane Sejdiu Ferati, ndërsa fjalën hyrëse e mbajti Linda Rexhaj Maliqi, themeluese e nismës dhe këshilltare juridike në sindikatën zvicerane Unia. Në fjalën e saj ajo theksoi se kjo iniciativë lindi nga nevoja për të artikuluar më qartë përvojën dhe kontributin e grave shqiptare në mërgatë.
“Sot jemi mbledhur për të shënuar 8 marsin dhe për të prezantuar një nismë që buron nga përvoja dhe nga nevoja për ta dëgjuar më fuqishëm zërin e gruas shqiptare në diasporë. ‘Zëri i Gruas LIRA’ synon të trajtojë çështje që lidhen me të drejtat e grave, barazinë gjinore, mirëqenien sociale dhe integrimin, duke krijuar hapësira dialogu dhe reflektimi,” tha Rexhaj Maliqi.
Duke shpjeguar konceptin e nismës, ajo theksoi se emri LIRA përfaqëson një ide të dyfishtë: lirinë për të shprehur dhe afirmuar zërin e gruas, por edhe vlerën që ajo përfaqëson në familje, komunitet dhe shoqëri.
“Emri LIRA nuk është zgjedhur rastësisht. LIRA si liri, liria për të ngritur zërin tonë dhe për të zgjedhur rrugën tonë. LIRA si vlerë, sepse gruaja shqiptare është një aset i çmuar për familjen, për komunitetin dhe për shoqërinë,” u shpreh ajo.
Në reflektimin e saj mbi procesin e integrimit të grave shqiptare në Zvicër, Linda Rexhaj Maliqi theksoi se ky rrugëtim ka kaluar nëpër faza të ndryshme dhe shpesh është shoqëruar me sfida të shumta. “Integrimi i gruas shqiptare në shoqërinë zvicerane ka qenë një proces i gjatë dhe aspak i lehtë. Në fillim të viteve ’80 shumë gra erdhën përmes bashkimit familjar apo për arsye ekonomike, shpesh të izoluara dhe me njohuri të kufizuara gjuhësore. Sot, pas dekadash përpjekjeje dhe sakrifice, gratë shqiptare janë të integruara dhe të suksesshme në shumë fusha të jetës,” theksoi ajo.
Të pranishmit i përshëndeti edhe Udhëheqësja e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë, Floreta Kabashi Ademaj, e cila vlerësoi kontributin e grave shqiptare në jetën publike dhe profesionale të diasporës. “Sot fjala integrim dëgjohet shpesh në diskutimet publike, por pas këtij koncepti qëndrojnë histori sakrifice, vendime të vështira dhe përpjekje të vazhdueshme për të ndërtuar një jetë të re,” tha ajo.
Sipas saj, sot gruaja shqiptare është një aktore e rëndësishme në jetën shoqërore dhe profesionale. “Vajzat dhe gratë shqiptare i gjejmë në shumë fusha të jetës publike: si mjeke, juriste, mësimdhënëse, inxhiniere, sipërmarrëse, artiste dhe profesioniste të suksesshme,” theksoi Kabashi Ademaj.
Një nga momentet qendrore të mbrëmjes ishte paneli i diskutimit, ku katër gra shqiptare nga gjenerata dhe fusha të ndryshme profesionale ndanë përvojat e tyre mbi integrimin dhe rrugëtimin personal në shoqërinë zvicerane.
Në panel morën pjesë Luljete Hoxha Sylejmani, asistente sociale; Rrezarta Sejdiu Shatri, animatore socio-edukative dhe koordinatore e shoqatës Rinia Contact; Dr. Fortesa Mehmeti, shefe klinike dhe drejtuese në Njësinë e Kujdesit Intensiv Pediatrik në HUG; si dhe Elda Gashi, studente e Shkencave të Edukimit dhe kryetare e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Gjenevë.
Diskutimi u përqendrua në disa dimensione të rëndësishme të integrimit: rrugëtimin personal në një shoqëri të re, përpjekjet për ndërtimin e një karriere profesionale, ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të identitetit kulturor, si dhe balancimin mes jetës familjare dhe angazhimit profesional.
Panelistet ndanë përvoja konkrete mbi vitet e para të integrimit në Zvicër, duke theksuar rëndësinë e arsimit, të përfshirjes sociale dhe të mbështetjes së komunitetit. Një vend i veçantë në diskutim iu kushtua rolit të familjes dhe të komunitetit në transmetimin e gjuhës dhe të kulturës shqiptare tek brezat e rinj që rriten në diasporë.
Në përmbyllje të diskutimit, mesazhi i panelisteve për të rinjtë ishte i qartë: të besojnë në potencialin e tyre, të investojnë në arsimim dhe të përballen me sfidat me vendosmëri, duke ruajtur lidhjen me identitetin dhe rrënjët e tyre kulturore. Debati u zgjerua edhe nga ndërhyrjet e pjesëmarrësve në sallë, të cilët ndanë përvoja personale mbi integrimin dhe përfshirjen e grave shqiptare në shoqërinë zvicerane.
Programi u pasurua edhe me një pjesë artistike-kulturore. Violonçelistja Laura Goga interpretoi veprat “Për ty atdhe”, një pjesë nga Piazzolla dhe “Après un rêve”. Në vijim, Fatime Kallimashi interpretoi poezinë “Ti, grua”. Në fund të programit, publiku pati rastin të dëgjojë interpretimin e flautistes Vesa Ilazi, e cila solli pjesët “Baresha” dhe “Clair de lune”. Mbrëmja u mbyll me një aperitiv dhe me bashkëbisedim të lirë mes të pranishmëve.
Kjo tryezë diskutimi nxori në pah se rrugëtimi i gruas shqiptare në diasporë nuk është vetëm histori përpjekjesh personale, por një përvojë e përbashkët që formësohet nga mbështetja, bashkëpunimi dhe kontributi i grave shqiptare që jetojnë dhe janë aktive në shoqërinë zvicerane.
Fotot: TvAlbSwiss
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Urimi i LAPSH “Naim Frashëri” për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit Vaxhid Sejdiu, bashkëkryetar i LAPSH “Naim Frashëri” – Zvicër uron për 7 Marsin, Ditën e Mësuesit... -
Hoxha për 7 Marsin: Mësuesit ndërtojnë urën mes diasporës dhe Shqipërisë -
Ida Jashari dhe përkushtimi për ruajtjen e gjuhës shqipe tek fëmijët në Zvicër -
Dita e Inxhinierëve në EPFL bashkon studentët shqiptarë dhe profesionistët në Lozanë -
Berlin
Albanian Film Festival Berlin mbahet për herë të parë në zemër të Berlinit
Jeta në Zvicër
-
Mijëra pjesëmarrës në grevën feministe në Lozanë dhe në Cyrih Disa gra të maskuara sulmuan stacionet e tramvajit në Cyrih. Të tjera varën litarë nëpër shina.... -
Ylfete Fanaj hapi zyrtarisht stacionin e policisë në Ebikon -
Asnjë fluturim special: Ndalohen fluturimet e reja zvicerane nga Omani -
Pse kartëmonedhat zvicerane ndryshojnë kaq shpesh -
Spitalet zvicerane po përballen me një situatë të tensionuar





















