Lajme
Policia zvicerane përjashton sulmin terrorist pas tragjedisë me autobusin në Kerzers
Tre të plagosur mbeten në gjendje kritike, ndërsa identifikimi i viktimave pritet të zgjasë disa ditë.
Autoritetet zvicerane kanë përjashtuar mundësinë që zjarri fatal në një autobus postar në komunën Kerzers të ketë qenë një sulm terrorist, ndërsa hetimet po përqendrohen gjithnjë e më shumë në dyshimet se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht nga një person brenda automjetit, përcjell albinfo.ch.
Sipas Kantonspolizei Freiburg, incidenti ndodhi të martën rreth orës 18:25 në rrugën Murtenstrasse, kur qendra e alarmit mori njoftim për një zjarr në një autobus të shërbimit postar që ishte nisur nga Düdingen drejt Kerzers në kantonin Freiburg.
Kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, autobusi ishte tashmë plotësisht i përfshirë nga flakët. Zjarrfikësit ndërhynë për të shuar zjarrin dhe për të kryer operacionet e shpëtimit, ndërsa zona u izolua për arsye sigurie.
Si pasojë e ngjarjes tragjike, gjashtë persona kanë humbur jetën, ndërsa pesë të tjerë janë plagosur. Sipas policisë, katër prej të lënduarve ishin pasagjerë të autobusit, ndërsa një tjetër është një ndihmës i emergjencës që ndërhyri në vendngjarje. Tre nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike për jetën, ndërsa dy të tjerë janë jashtë rrezikut.
Shefi i komunikimit në policinë kantonale, Martial Pugin, deklaroi për transmetuesin publik zviceran RTS se hetuesit janë të prirur të besojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht.
“Në këtë fazë nuk ka asgjë që të sugjerojë një motiv terrorist,” tha ai.
Edhe zëdhënësi tjetër i policisë, Frédéric Papaux, konfirmoi se dëshmitë e para tregojnë për mundësinë e një veprimi të qëllimshëm. Sipas tij, persona që ndodheshin pranë autobusit dhe disa pasagjerë kanë raportuar për një individ që mund të ketë përdorur një pajisje ndezëse.
Ndërkohë, një tjetër zëdhënëse e policisë lokale, Christa Bielmann, bëri të ditur se hetuesit po shqyrtojnë edhe raportimet sipas të cilave një person dyshohet se ka derdhur lëndë djegëse mbi veten para se të shpërthente zjarri. Megjithatë, policia thekson se rrethanat e sakta do të përcaktohen vetëm pas përfundimit të hetimeve.
Prokuroria publike ka hapur tashmë një hetim penal për këtë rast, ndërsa policia po vazhdon intervistimin e dëshmitarëve dhe verifikimin e të gjitha informacioneve për të zbardhur plotësisht ngjarjen.
Autoritetet gjithashtu kanë bërë të ditur se identifikimi i viktimave mund të zgjasë disa ditë. Sipas anëtarit të qeverisë kantonale të Freiburgut përgjegjës për sigurinë dhe drejtësinë, Romain Collaud, procesi i identifikimit përmes analizave të ADN-së kërkon kohë dhe është një procedurë standarde në raste të tilla tragjike.
Policia ka hapur gjithashtu një linjë të posaçme telefonike për viktimat, familjarët dhe dëshmitarët e mundshëm në numrin 0800 261 700, ndërsa një konferencë për media pritet të mbahet për të dhënë përditësimet më të fundit mbi hetimet./Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Austri
Profesori shqiptar fiton bursën prestigjioze SHER Fellowships në Austri Zahir Çerkini është përzgjedhur për bursën ndërkombëtare SHER Fellowships Post-Doc Grant, të ndarë nga OeAD në... -
Firence
Alesia, shqiptarja nga Firence që spikat në fushën e inxhinierisë biomjekësore dhe inteligjencës artificiale -
Ambasada e Kosovës në Austri njofton shërbime të mbyllura konsullore në disa data të majit 2026 -
Në Lozanë hapet ekspozita “Trésors Vestimentaires”, kushtuar veshjeve tradicionale shqiptare -
Nis hulumtimi për diasporën e Maqedonisë së Veriut, hapet anketa për shqiptarët jashtë vendit
Jeta në Zvicër
-
Zvicër
Neuchâtel bëhet kantoni i parë në Zvicër që ndalon lëshimin e balonave në ajër Masa e re ndalon si balonat tradicionale ashtu edhe “fenerët fluturues”, për arsye mjedisore dhe rreziku... -
Moutier: Afati i fundit për ndërrimin falas të targave të Bernës me ato të Jura-s -
Zvicra nga viti 2028 me platformë digjitale për AVS dhe AI -
Fund i një epoke: SWISS ndalon shitjet “duty-free” në avionë -
Zvicra synon lehtësimin e aksesit në pilulën e emergjencës













