Lajme

Zvicra kryeson botën për numrin e ekspertëve të Inteligjencës Artificiale për banor

Sipas raportit të vitit 2026 të publikuar nga Stanford Institute for Human-Centered Artificial Intelligence, Zvicra renditet e para globalisht për densitetin e studiuesve dhe zhvilluesve të AI.

Zvicra është renditur në vendin e parë në botë për numrin e studiuesve dhe zhvilluesve të Inteligjencës Artificiale për frymë të popullsisë. Të dhënat vijnë nga raporti i vitit 2026 i AI Index Report, i publikuar nga Stanford Institute for Human-Centered Artificial Intelligence në kuadër të Stanford University, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportit, në vitin 2025 Zvicra kishte 110.5 studiues dhe zhvillues të AI për çdo 100 mijë banorë, duke u renditur kështu në vendin e parë në nivel global. Pas saj vjen Singapore me 109.5 ekspertë për 100 mijë banorë.

Ky rezultat konfirmon reputacionin e Zvicrës si një nga qendrat më të rëndësishme në botë për kërkime në fushën e Inteligjencës Artificiale, përqendrimin e talenteve dhe zhvillimin e inovacionit teknologjik.

Në fakt, vendi njihet prej kohësh për performancën e lartë në inovacion. Zvicra është shpallur për 15 vite radhazi si vendi më inovativ në botë, duke ruajtur një pozicion dominues në fusha të ndryshme të kërkimit shkencor dhe teknologjik. /Albinfo.ch