Lajme

Ushtria zvicerane bashkon kuajt dhe dronët në patrullime moderne

Trajnim i ri në Zvicër: rekrutët mësojnë të përdorin si kafshët ashtu edhe teknologjinë e avancuar për mbikëqyrje të terrenit

Ushtria zvicerane po ndërthur traditën me teknologjinë moderne duke përdorur kuajt dhe dronët në operacionet e patrullimit në terren. Kjo qasje e re është pjesë e një trajnimi të veçantë në Shkollën Rekrute, ku një grup i vogël rekrutësh të rinj mësojnë të punojnë me të dyja sistemet, përcjell albinfo.ch.

Rekrutët trajnohen si patrullues kalorës dhe kryejnë misione vëzhgimi në zona të ndryshme, përfshirë edhe pyjet dhe terrenet e vështira. Sipas tyre, bashkëpunimi mes kalit dhe dronit kërkon stërvitje të kujdesshme, pasi kafshët fillimisht reagojnë me frikë ndaj teknologjisë së re dhe duhet të ambientohen gradualisht.

Ushtria zvicerane ka një traditë të gjatë në përdorimin e kuajve. Dikur, para rreth 100 vitesh, ajo kishte dhjetëra mijëra kuaj, ndërsa sot numri i tyre është rreth 300. Këto kafshë përdoren kryesisht për mbikëqyrje të zonave të gjera dhe objekteve kritike, siç është edhe Aeroporti i Cyrihut, ku terreni nuk lejon shumë rrugë të aksesueshme.

Sipas komandantit Kim Schätti, kuajt kanë avantazhe të veçanta në terrene të vështira, pasi mund të lëvizin më shpejt se patrullat këmbësore dhe të reagojnë në mënyrë relativisht të qetë në mjedise të paqarta.

Nga ana tjetër, dronët përfaqësojnë teknologjinë më të re ushtarake. Ata mund të përdoren për vëzhgim edhe gjatë natës, falë kamerave termike që zbulojnë nxehtësinë e njerëzve dhe kafshëve, duke i bërë të dallueshëm edhe në errësirë.

Kombinimi i kuajve dhe dronëve shihet si një qasje inovative që bashkon përvojën tradicionale me aftësitë moderne të mbikëqyrjes./Albinfo.ch