Lajme

Erza Doda zgjidhet anëtare e Këshillit Bashkiak në Redbridge, Londër

Shqiptarja me origjinë nga Kosova fiton mandatin në zgjedhjet lokale në Britani si përfaqësuese e Partisë Laburiste

Shqiptarja me origjinë nga Kosova, Erza Doda, është zgjedhur anëtare e këshillit bashkiak në Bashkinë Redbridge në Londër, në kuadër të zgjedhjeve lokale të mbajtura në Mbretërinë e Bashkuar, transmeton albinfo.ch.

Doda ka kandiduar dhe ka fituar mandatin si përfaqësuese e Partisë Laburiste, duke shënuar një tjetër sukses për përfaqësimin e shqiptarëve në politikën lokale britanike.

Ajo është e diplomuar në University College London (UCL) në fushën Politikë, Histori dhe Ekonomi, ndërsa gjatë viteve të fundit ka ndërtuar profilin e saj profesional përmes angazhimit në institucione britanike, duke u bërë tashmë pjesë edhe e vendimmarrjes politike në nivel vendor.

Zgjedhja e Erza Dodës në këshillin bashkiak të Redbridge shihet si një arritje e rëndësishme dhe një sinjal i rritjes së rolit të diasporës shqiptare në jetën publike dhe politike të Mbretërisë së Bashkuar./Alvinfo.ch