Lajme
Punëdhënësit në Zvicër po përfitojnë nga puna e pjesshme e pavullnetshme
Sektori i pastrimit është një nga më të prekurit nga nën-punësimi në Zvicër. Mijëra punëtorë, veçanërisht gra dhe migrantë, detyrohen të pranojnë kontrata me orar të pjesshëm, edhe pse dëshirojnë të punojnë më shumë orë.
Në Zvicër, puna me orar të pjesshëm shpesh konsiderohet si privilegj, sidomos për shkak të balancës mes jetës private dhe asaj profesionale. Megjithatë, realiteti për shumë punëtorë është krejt ndryshe. Sipas statistikave federale, rreth 261 mijë persona janë të nën-punësuar, pra punojnë më pak sesa dëshirojnë.
Në vitin 2024, 41.5% e popullsisë aktive në Zvicër ishte e punësuar me më pak se 100% të orarit të plotë. Ky është një nga nivelet më të larta të punës me kohë të pjesshme në Europë, menjëherë pas Holandës. Mesatarja europiane aktualisht është rreth 19%.
Gratë dhe migrantët më të prekurit
Fenomeni prek kryesisht gratë. Sipas të dhënave zyrtare për vitin 2025, rreth 185 mijë gra janë të nën-punësuara, krahasuar me 76 mijë burra. Gratë migrante rezultojnë edhe më të ekspozuara ndaj kësaj forme të pasigurisë në punë.
Studiueset Karin Schwiter dhe Reta Barfuss nga Universiteti i Cyrihut kanë analizuar arsyet e këtij fenomeni dhe kanë arritur në përfundimin se shumë kompani përfitojnë nga fleksibiliteti i këtyre punëtorëve.
Sipas studimit, punëtorët me kontrata të pjesshme kushtojnë më pak për kompanitë dhe mund të angazhohen sipas nevojave të momentit – gjatë fundjavave, në periudha me ngarkesë më të madhe apo për orë shtesë. Kjo u lejon punëdhënësve të ulin kostot dhe të shmangin detyrime të caktuara sociale.
Kontrata minimale dhe pasiguri ekonomike
Një nga sektorët më problematikë është ai i pastrimit, ku punojnë shumë gra emigrante. Shumë prej tyre kanë kontrata “me orë”, ku garantohet vetëm një orë pune në javë. Në praktikë, ato punojnë më shumë, por orët shtesë nuk janë të garantuara dhe shpesh nuk paguhen siç duhet.
“Gjejnë shpejt punë, por vetëm sipas kërkesës. Nuk arrijnë të sigurojnë të ardhura të mjaftueshme për jetesë”, shpjegon studiuesja Karin Schwiter për median zvicerane SRF, transmeton albinfo.ch.
Për pasojë, shumë gra detyrohen të mbajnë disa vende pune njëkohësisht: pastrim zyrash herët në mëngjes, apartamente gjatë ditës dhe sërish zyra në mbrëmje.
“Shumë prej tyre janë njëkohësisht të nën-punësuara dhe të mbingarkuara”, shton studiuesja tjetër, Reta Barfuss.
Dyshime për shmangie të kontributeve pensionale
Një nga problemet kryesore lidhet me kontributet pensionale. Punëdhënësit në Zvicër janë të detyruar të paguajnë kontribute pensioni vetëm nëse paga vjetore e punonjësit kalon 22,680 franga zvicerane.
Një punonjëse pastrimi, e identifikuar si Dalinda, rrëfen se orët e saj të punës reduktoheshin vazhdimisht në mënyrë që të mos e kalonte këtë prag. Ajo fitonte rreth 1,800 franga në muaj, shumë e pamjaftueshme për të jetuar.
Sipas studimit, kompani të ndryshme pastrimi kanë pranuar hapur se preferojnë të punësojnë shumë persona me kontrata minimale, sesa pak punëtorë me orar më të madh, pikërisht për të shmangur kostot shtesë të pensioneve.
Rritje e pasigurisë në tregun e punës
Ekspertët paralajmërojnë se nën-punësimi është rritur ndjeshëm vitet e fundit dhe po krijon pasiguri të madhe ekonomike dhe sociale për mijëra njerëz.
Përveç vështirësive financiare, kjo situatë ndikon edhe në shëndetin fizik dhe psikologjik të punëtorëve, të cilët shpesh jetojnë në ankth të vazhdueshëm për stabilitetin e tyre ekonomik.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
MPJD u bën thirrje qytetarëve të shmangin kalimin përmes Serbisë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, përfshirë bashkatdhetarët... -
Suedi: Vritet një i ri nga Kosova, raportohet se ishte kalimtar rasti -
Pse emigrantët po i kthejnë shpinën Gjermanisë -
Thirrje për të rinjtë e diasporës shqiptare dhe Ballkanit: Bashkohuni në Bootcamp-in “Building DiverCity” në Itali! -
Denoncon avokati Koci: Dyshime se një familjeje kosovare iu morën 2000 euro në kufirin Serbi–Kroaci
Jeta në Zvicër
-
Zvicra dhe Austria planifikojnë blerje të përbashkëta të armatimit Zvicra dhe Austria kanë vendosur të thellojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, duke planifikuar blerje të... -
Të ardhurat shtesë pa taksa? – Debat në Zvicër për bakshishet -
Nënkontraktorët e DHL-së në Zvicër paralajmërojnë rrezik falimentimi -
Model i ri banimi në Zvicër: Sa më shumë banorë në një apartament, aq më e ulët qiraja -
Një valë e re nxehtësie godet Zvicrën, alarm për valë të nxehti në disa rajone frëngjishtfolëse












