Bota

Trump paralajmëron marrëveshjen e mundshme me Iranin

Donald Trump u shpreh se ishte informuar se do të arrihej një marrëveshje që është shumë e pranueshme për SHBA-në

Presidenti amerikan, Donald Trump ka anuluar një sulm të planifikuar ndaj Iranit pas kërkesës nga aleatët e Gjirit, dhe nisjes së negociatave të reja mes palëve.

Në një postim në rrjetin social Truth, ai tha se arsyeja pse e kishte pezulluar sulmin ishte kërkesa e udhëheqësve te Katarit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, transmeton albinfo.ch.

“Vendet e Gjirit më kanë kërkuar të shtyj sulmin tonë të planifikuar ushtarak ndaj Republikës Islamike të Iranit, për shkak se tani po zhvillohen negociata serioze dhe se, sipas mendimit të tyre, si Udhëheqës të Mëdhenj dhe Aleatë, do të arrihet një Marrëveshje, e cila do të jetë shumë e pranueshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për të gjitha vendet në Lindjen e Mesme dhe më gjerë”, tha Trump.

Trump u shpreh se ishte informuar se do të arrihej një marrëveshje që është shumë e pranueshme për SHBA-në, duke shtuar se nuk do të kishte asnjë armë bërthamore për Iranin.

Ky njoftim i Trump ndikoi menjëherë në çmimet globale të naftës duke shënuar rënie të menjëhershme.